Skënder Rexhepi e bllokoi seancën e Kuvendit: “Talat Xhaferi po e hesht opozitën shqiptare!”

Ende pa filluar, u ndërpre seanca e sotme e Kuvendit për pyetje deputetësh. Kryeparlamentari Talat Xhaferi dha një orë pauzë me kërkesë të shefit të grupit parlamentar të koalicionit ASH-AAA, Skender Rexhepi.
Rexhepi e quajti Xhaferin “zëdhënës të BDI-së” dhe e akuzoi se po mundohet ta heshtë opozitën shqiptare, për shkak të radhitjes së deputetëve që do të parashtrojnë pyetje. Gazetarët nga Kuvendi thonë se zënka ndodhi për shkak të favorizimit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së gjatë parashtrimit të pyetjeve të deputetëve, në dëm të opozitës shqiptare. ja si rrjedhi debati:
„Kryetari i Kuvendit po e bllokon fjalën e opozitës. Ai është zëdhënës i BDI-së, duke e bllokuar fjalën e opozitës, dhe kjo nuk i ka hije kryetarit, i cili duhet të jetë transparent. Jo rastësisht e informuam që sot me pyetje deputetësh do të paraqitet kryetari i një partie politike, kryetari i Aleancës i cili është radhitur i pesti për të parashtruar pyetje, e koordinatori i grupit parlamentar, që jam unë, i 13-ti. Kërkoj një orë pauzë të ulemi të meremi vesh lidhur me listën e parashtrimit të pyetjeve”, tha Rexhepi.
Xhaferi fillimisht tha se nuk do të japë pauzë, por më pas lëshoi pe.

“Rregullorja nuk lejon një orë pauzë dhe unë nuk do të ju jap. Lista është bë sipas principit dy deputetë nga opozita, një nga pushteti. Pa marë parasysh se cila parti është nga opozita”, u përgjigj Xhaferi.
Por, Rexhepi doli në foltore dhe tha se opozita shqiptare nuk do të lejojë të vazhdojë seanca dhe se sipas Rregullores, Xhaferi mund të japë pauzë.
“Ju vetë e shpifët që nuk mund të jepni pauzë. Askush nuk do të vazhdojë të flasë deri sa nuk zgjidhet kjo”, tha Rexhepi.
Xhaferi më pas lëshoi pe dhe dha një orë pauzë. Seanca duhej të vazhdojë në ora 13.