36 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut

Armat Matoshi

Mes tytave të armëve dhe rrethimit policor, më 2 korrik 1990, në Prishtinë, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës që atëherë kishte statusin e imponuar të krahinës autonome në Serbi jetësuan aspiratat shekullore të shqiptarëve të, duke e shpallur Kosovën njësi të pavarur brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

E shkruar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, dokumenti që përcaktoi drejtimin e ri politik dhe juridik u publikua të nesërmen në “Fletoren Zyrtare” të Kuvendit të Kosovës, i cili vetëm tri ditë më vonë u shpërbë dhunshëm nga presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç, përmes një ligji që suprimoi autonominë e Kosovës.

Për aspektin juridik të Deklaratës Kushtetuese ishte përkujdesur akademiku i ndjerë kosovar, Gazmend Zajmi, i cili jo vetëm që ishte hartuesi kryesor i tekstit, por kishte insistuar që dokumenti të emërtohej pikërisht “Deklaratë Kushtetuese” dhe jo thjesht politike, për t’i dhënë asaj fuqi të plotë juridike që kurorëzoi kërkesat e kohës, duke vendosur themelet që do të çonin drejt shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ajo shënon dokumentin e parë juridiko-politik të firmosur nga përfaqësuesit e popullit, si shprehje e pastër e vullnetit të shqiptarëve për të ndërtuar një shtet të pavarur dhe sovran si të gjithë popujt e Evropës Lindore pas rënies së Murit të Berlinit.

Dy muaj pas Deklaratës Kushtetuese, të ndjekur këmba-këmbës nga Sigurimi Shtetëror i Serbisë (UDB), delegatët u mblodhën fshehurazi në Kaçanik. Aty miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila vendosi themelet e pavarësisë së Kosovës.

Për të legjitimuar ndryshimet kushtetuese, u organizua edhe referendumi për pavarësi dhe sovranitet, i cili pastaj i hapi rrugë zgjedhjeve të para të lira demokratike në Kosovë, si rezultat i të cilave Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i i Republikës.