Presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se Deklarata 2 Korrikut i dha fund nënshtrimit serb.
Në fjalën e saj në seancën solemne për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Osmani shtoi se shpallja e deklaratës i hapi rrugë artikulimit të shtetësisë së Kosovës.
Sipas saj, Kosova është vend i lirë dhe sovran dhe i tillë do të qëndrojë gjithmonë.
“Akti që po e kremtojmë sot në seancë është njëra ndër ngjarjet e rëndësishme për kombin dhe vendin tonë. Sot po e jetësojmë çdo ditë shtetin e Kosovës dhe është momenti që ta kujtojmë çdo ditë kontributin e tyre”.
“Dua të kujtojë çdo ditë kontributin e delegatëve gra, koha e gërryen jetën e njerëzve prandaj disa nga delegatet e atëhershme kanë kaluar në amshim. Deklarata Kushtetuese e miratuar ishte akt politik e juridik që Kosova nuk pranoj t’i nënshtrohej serbëve”.
“Me shpalljen e deklaratës ata i hapën udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës. Sot Kosova është vend i lirë dhe sovran dhe i tillë do të qëndrojë gjithmonë”, tha Osmani.
LIVE seanca/Konjufca: Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët në 2 Korrikun e vitit 1990
Me rastin e 31-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, sot u mbajt seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, ndërsa me këtë rast kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se 2 Korriku ishte momenti kyç i shprehjes së vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës.
Konjufca tha se 17 shkurti i vitit 2008 i ka rrënjët në 2 Korrikun e vitit 1990.
“Pikërisht para dyerve të këtij Kuvendi, delegatët e atëhershëm miratuan Deklaratën e 2 Korrikut”, tha ai, duke shtuar se vendi ishte i shtypur dhe nën masa të ashpra represive.
Ai tha se mbi supet e delegatëve të atëhershëm peshonte aspirata e kamotshme e popullit të Kosovës për pavarësi.
Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.
Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.
Fillon seanca solemne e Kuvendit, po shënohet 31-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990
Sot po shënohet 31-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990
Kuvendi i Kosovës sot po e mbajn seancë solemne për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.
***
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.
Seanca do të fillojë në ora 10:00.
Kjo seancë ka për qëllim shënimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.
Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.
Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.



