3 zjarrfikës duhet të mbulojnë 2 komuna, 479 km mbulohen me dy kamionë të viteve ’80

“Ky është një prej kamionëve, të zjarrfikësve në bazën e Gjorçe Petrovit. Ky kamion është i viteve 80-ta, është edhe një i po i të njëjtit vit që duhet të mbulojnë territorin më të madh në qytetin e Shkupit, Komunën e Gjorçe Petrovit dhe atë të Sarajit”, raporton Afrim Jonuzi, gazetar.

Janë vetëm dy kamionë zjarrfikësish.
Të vjetër e të ngadalshëm, duhet të mbulojnë një territor me sipërfaqe prej 479 km katrorë.
E gjithë kjo sipërfaqe duhet të mbulohet vetëm me një personel prej tre zjarrfikësish.

Këto kamionë shpesh herë janë edhe jashtë funksionit për tu dalë në ndihmë qytetarëve në rast emergjence.
Tani në pranverë kur edhe temperaturat po rriten, shtohen edhe zjarret e që të parët që duhet të reagojnë janë zjarrfikësit me këto mjete.

Me vetiniciativë zjarrëfikësit kamionët po i mbajnë të lëvizshëm.
Ujë që rrjedh prej kamionit, zjarrfikësit e kanë vendosur një kovë, përveç ujit edhe vaji i këtyre dy kamionëve po rrjedh.
Sipas një hulumtimi të bërë nga qendra për komunikim me qytetarët, thonë se kamionët e zjarrfikësve mesatarisht janë të vjetër 27 vjet.

“Njësitë zjarrfikëse territoriale në vendin tonë kanë vetëm 220 mjete për mbrojtje kundër zjarrit duke i llogaritur këtu jo vetëm cisternat por edhe veturat për shuarjen e zjarrit, por edhe të gjitha automjetet e tjera të ekipeve zjarrfikëse. Në vend ka 30 njësite të këtilla. Vjetërsia mesatare e këtyre automjeteve është 27 vjet dhe madje 154 nga 220 automjetet (70%) janë prodhuar në shekullin e kaluar. Më të vjetra janë dy automjete nga viti 1966 që janë në Strumicë (nga tipi FAP 13) dhe në Vallandovë (nga tipi TAM 5500)”, thonë nga Qendra për komunikim me qytetarët.

Zjarrfikësit jashtë kamerave i thanë TV21 se janë para pensionit, ndërsa janë të shqetësuar se nuk do të ketë kush t’i zëvendësojë.
Kontaktuam edhe me sindikatën e zjarrfikësve por ata nuk deshën të flasin, edhe pse thanë që të tregojnë hallet e tyre, u bënë të pakapshëm për TV21.