3 vatra aktive të zjarrit! Saraji, Petroveci dhe Prilepi ende në zjarr

Qendra për Menaxhim me Kriza informon se deri në orën 11 në territorin e të gjithë vendit kanë qenë tri vatra aktive të zjarrit, edhe atë në Saraj, Prliep dhe Petrovec. Në Saraj, nga mëngjesi në vendngjarje kanë vepruar pjesëtarë të Armatës, respektivisht 20 pjesëtarë, ndërsa është intervenuar edhe me helikopter. Zjarret në Makedonski Brod, Pehçevë dhe rajonin e Dellçevës llogariten si të lokalizuara, por gjithsesi aty ka ekipe zjarrfikësish, me qëllim ndjekjen e situatës, thonë nga QMK.

“Për momentin kemi 3 zjarre aktive në vend, edhe atë ne Saraj, në fshatin Rahoviç, Bukoviç, i cili tanimë disa ditë është aktiv ndërsa gjatë ditës së djeshme ka flakë edhe në drejtim të Jasenit. Zjarri tjetër aktiv është në Petrovec në fshatin Divje, në vendin e quajtur Krushje, por intensiteti i zjarrit është ulur. Ndërkaq vatër aktive ka edhe në Prilep, në fshatin Toplicë, ku zjarri është nën kontroll por është përhapur edhe në drejtim të fshatit Rakle”, deklaroi Marija Millkova nga QMK.