Shkruan:Fejzi HAJDARI
Marrëveshja e Ohrit nuk ishte premtim për shqiptarët. Ishte obligim për shtetin!
Më 12 dhe 13 gusht do të shënohen 25 vjet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.Një çerek shekulli.
Njëzet e pesë vjet nga një marrëveshje që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe që duhej të hapte një kapitull të ri për marrëdhëniet ndëretnike, për barazinë, për përfaqësimin e drejtë dhe për përdorimin e gjuhës shqipe.
Por sot, 25 vjet më pas, pyetja nuk është vetëm: Çfarë është zbatuar?
Pyetja shumë më e rëndësishme është: Çfarë nuk është zbatuar?
Dhe mbi të gjitha: Pse nuk është zbatuar?
Marrëveshja e Ohrit nuk ishte një dekor politik për t’u përkujtuar çdo 13 gusht. Ishte një marrëveshje që duhej të transformonte shtetin.
Dhe nëse pas 25 vjetësh shqiptarët ende duhet të kërkojnë të njëjtat të drejta, atëherë dikush duhet të japë llogari.
PSE?
Pse, pas 25 vjetësh, shqiptarët vazhdojnë të identifikohen në Kushtetutë përmes formulimit matematik, ofendues “20 për qind”, në vend që të njihen në mënyrë të qartë si “popull konstituiv” i shtetit?
Pse gjuha shqipe vazhdon të trajtohet përmes një pragu numerik, ndërsa në Kosovë Kushtetuta i përcakton drejtpërdrejt shqipen dhe serbishten, si gjuhë zyrtare të Republikës së Kosovës?
Pse një popull që përbën një pjesë të madhe të qytetarëve të këtij shteti duhet të përkufizohet me përqindje?
A matet identiteti kombëtar me kalkulator?
Pse shqiptarët ende nuk e kanë kryer betejën për institucionet kyçe të shtetit?
Pse pas 25 vjetësh posti i ministrit të Punëve të Brendshme nuk është bërë një realitet normal për shqiptarët?
Pse Banka Popullore vazhdon të mos ketë një guvernator shqiptar?
Pse institucionet kryesore financiare dhe fiskale të shtetit, përfshirë Drejtorinë e Doganave dhe administratën tatimore, vazhdojnë të mos reflektojnë në mënyrë të barabartë përbërjen e shoqërisë?
Sot drejtori i përgjithshëm i Doganave është Boban Nikolovski, ndërsa struktura drejtuese e institucionit përfshin edhe kuadro shqiptarë në nivele të tjera, çka tregon pikërisht problemin: përfaqësimi në nivele të caktuara nuk është i njëjtë me kontrollin dhe drejtimin e institucioneve strategjike.
Pse nuk ndodhi decentralizimi i shumwpritur i pushtetit?
Pse drejtimi i institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe financave publike vazhdon të jetë një hapësirë ku barazia shqiptare nuk është bërë ende standard?
Madje, sot Agjencia e Inteligjencës drejtohet nga Gabriela Jakovleva.
Dhe pyetja nuk është pse një maqedonas e drejton një institucion.
Pyetja është pse, pas 25 vjetësh, shqiptarët ende nuk e kanë fituar të drejtën që drejtimi i institucioneve strategjike të mos konsiderohet më si një përjashtim politik.
Pse ende nuk kemi president shqiptar?
Pse, pas një çerek shekulli nga Ohri, shqiptarët ende nuk kanë pasur një president të Republikës?
Pse posti më i lartë institucional i shtetit vazhdon të jetë praktikisht i mbyllur për shqiptarët?
A është kjo ende një çështje e numrave?
Apo është një çështje e vullnetit politik?
Pse një kryeministër shqiptar vetëm kur sistemi ka nevojë për të?
Po, shqiptarët kanë pasur një kryeministër teknik shqiptar.
Por kjo nuk është përgjigjja.
Pyetja është:
Pse ende nuk ka pasur një kryeministër shqiptar me mandat të plotë politik, të dalë nga një marrëveshje e vërtetë politike dhe me ingerenca të plota qeverisëse?
Pse shqiptarët mund të jenë partnerë koalicioni, të sigurojnë vota, të mbajnë poste ministrore dhe të përcaktojnë shumica parlamentare, por ende nuk është bërë normale që një shqiptar të udhëheqë qeverinë me mandat të plotë?
Pse disa struktura të sigurisë vazhdojnë të duken si shtet brenda shtetit?
Pse në njësitë speciale të policisë dhe ushtrisë përfaqësimi shqiptar vazhdon të jetë problem?
Pse struktura të tilla si “Tigrat” dhe “Ujqit” kanë pasur historikisht një përfaqësim që nuk përputhet me realitetin demografik të shtetit?
Dhe nëse ka ende njësi apo struktura ku përfaqësimi i shqiptarëve është minimal, simbolik apo i pamjaftueshëm, pyetja është:
A është kjo ajo “përfaqësimi i drejtë dhe adekuat” që premtoi Ohri?
Marrëveshja e Ohrit e përcaktoi qartë parimin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në organet publike në të gjitha nivelet.
Pra, problemi nuk është se nuk ekziston norma.
Problemi është hendeku ndërmjet normës dhe realitetit.
Dhe pastaj vjen gjuha shqipe…
Këtu është një nga dështimet më të dukshme.
Pas 25 vjetësh, ende diskutojmë nëse shqipja përdoret mjaftueshëm në institucionet shtetërore.
Ende shohim dokumente, komunikime, institucione, tabela, njoftime dhe procedura ku gjuha shqipe anashkalohet ose përdoret në mënyrë selektive.
Ndërkohë, Marrëveshja e Ohrit parashikonte përdorimin institucional të gjuhës së komunitetit që përbën të paktën 20 për qind, ndërsa ndryshimet kushtetuese e përfshinë këtë parim në Kushtetutë.
Pra, edhe këtu pyetja është e thjeshtë:
Pse pas 25 vjetësh ende duhet të luftojmë për zbatimin e asaj që është shkruar në Kushtetutë dhe në ligj?
Pse Kosova mundi ta bëjë një hap që Maqedonia e Veriut ende nuk e ka bërë?
Kjo është dilema që politika shqiptare duhet ta hapë.
Në Kosovë, serbët janë komunitet kushtetues dhe serbishtja është gjuhë zyrtare e shtetit. Kushtetuta rezervon gjithashtu dhjetë ulëse në Kuvend për komunitetin serb, brenda 20 ulëseve të garantuara për komunitetet joshumicë.
Kjo nuk do të thotë se modeli kosovar është i përsosur.
As që duhet kopjuar mekanikisht.
Por tregon një gjë:
Kur ekziston vullneti politik, një shtet mund ta ndërtojë një model kushtetues që i njeh komunitetet jo vetëm përmes përqindjeve, por edhe përmes statusit institucional.
Atëherë:
Pse jo edhe këtu?
Pse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të mbeten të lidhur me formulën “20 për qind”?
Pse pas 25 vjetësh nuk është hapur seriozisht çështja e ndryshimit të këtij koncepti?
Pse statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve nuk është avancuar në përputhje me peshën reale politike, demografike dhe historike të tyre?
Dhe këtu arrijmë te pyetja më e sikletshme:
ÇFARË PO FESTONI?
Kjo është pyetja që duhet t’u bëhet partive politike shqiptare.
Jo vetëm atyre që sot janë në pushtet.
Të gjithave.
Çfarë po festoni?
Cilat janë sukseset e mëdha të Marrëveshjes së Ohrit për të cilat po gëzoheni dhe ne nuk po i shohim?
Cili është ai sukses që duhet ta festojmë pas 25 vjetësh?
A është sukses që shqiptarët kanë më shumë ministra?
A është sukses që janë bërë pjesë e qeverive?
A është sukses që disa mijëra shqiptarë janë punësuar në administratë?
Po.
Janë hapa përpara.
Por ato nuk mund të shiten si fund i procesit.
Sepse Ohri nuk u nënshkrua që shqiptarët të marrin disa poste.
U nënshkrua që shteti të ndryshojë.
Dhe ky është dallimi që politika shqiptare duket se ka harruar.
Ohri duhej të ishte përfunduar, jo përjetësuar si festë
Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte instrument tranzicioni drejt një shteti më të barabartë.
Jo një dokument që politika shqiptare e hap çdo gusht, organizon konferenca, mban fjalime, shpërndan fotografi dhe pastaj e mbyll deri në gushtin tjetër.
Nëse pas 25 vjetësh ende flasim për të njëjtat probleme, atëherë duhet ta pranojmë:
Ohri nuk është përfunduar.
Dhe nëse nuk është përfunduar, atëherë dikush duhet të tregojë pse.
Kush e pengoi?
Kush nuk e kërkoi?
Kush u pajtua me minimumin?
Kush i shndërroi të drejtat kolektive në vende pune?
Kush e zëvendësoi betejën për barazi me negociatat për ministri?
Dhe mbi të gjitha:
Kush ua shiti shqiptarëve kompromisin si fitore?
Mos na kërkoni të festojmë dështimin!
Nëse dështimin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit e quani sukses, atëherë — pirolla ju qoftë!
Por mos kërkoni që shqiptarët ta festojnë.
Sepse një marrëveshje që duhej të kurozohej me përfundimin e procesit të reformave vite më parë, nuk mund të kthehet sot në një dekor politik për të legjitimuar ata që kanë dështuar ta përfundojnë.
Dështimet historikisht i kanë festuar vetëm ata që kanë humbur betejën dhe kanë dashur ta bindin popullin se kanë fituar.
Nuk e kemi ditur se një ditë këtë metodë do ta adoptonte edhe një pjesë e faktorit politik shqiptar.
Por ja ku jemi.
25 vjet më pas.
Ende me “20 për qind”.
Ende me gjuhën shqipe që duhet mbrojtur në institucionet ku ajo duhej të ishte normale.
Ende me institucione strategjike ku shqiptarët nuk janë aty ku duhet të ishin.
Ende pa president shqiptar.
Ende pa kryeministër shqiptar me mandat të plotë politik.
Ende me struktura të sigurisë ku përfaqësimi shqiptar mbetet problem.
Dhe ende me politikanë që duan të na bindin se gjithçka është në rregull.
Jo, nuk është në rregull!
Dhe nëse mendoni se shqiptarët mund t’i mashtroni me një festë, me disa flamuj, disa fjalime dhe disa fotografi institucionale, e keni gabim.
Zgjedhjet nuk janë aq larg.
Dhe pyetja do të jetë shumë më e thjeshtë se çdo raport qeveritar:
Çfarë bëtë për 25 vjet?
Jo: Çfarë premtuat?
Jo: Çfarë nënshkruat?
Jo: Sa ministra patët?
Por: ÇFARË NDRYSHOI REALISHT PËR SHQIPTARËT?
Marrëveshja e Ohrit, nuk duhet të jetë përvjetor, por duhet të jetë standard.
Dhe një standard që ende nuk është arritur pas 25 vjetësh, nuk është arsye për festë.
Është arsye për përgjegjësi.
25 vjet janë më se mjaft.
Tani nuk duhen më fjalime.
Duhet llogari.



