24 dhe 28-vjeçari u vranë në Fushë Tophanë, Spasovski: Po bëhet hetim i detajuar

Në ora 2:35 të mëngjesit të sotëm, kjo lagje nuk ishte kaq e qetë.
Këtu në lagjen në Fushë Tophanë, pas një breshërie plumbash mbetën të vrarë dy persona.

Njëri 24 vjeç dhe tjetri 28 vjeçar. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja nga arma.

“Pasi policët dolën në vendngjarje, është gjetur vetura Citroen me targa të Shkupit dhe dy persona që nuk kanë dhënë shenja jete. Nga ana e mjekut të Ndihmës së Shpejtë është konstatuar vdekja te të dy. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja nga arma, ndërkaq viktimat janë një 24-vjeçar dhe 28 vjeçar me iniciale B.V. dhe A.B”, njoftuan nga MPB-ja.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha se po bëhet hetim i detajuar sa i përket vrasjes së dyfishtë në Fushë-Tophanë.

“Po shqyrtohen arsyet, po bëhet hetim i detajuar i rastit dhe do ta informojmë opinionin në kohë”, deklaroi ministri, Oliver Spasovski.

Por sot në këtë lagje ku mbetën të vrarë personat, policia nuk ishte aty. Hetimet i kishin kryer herët në mëngjes, ndërsa tek vendi i vrasjes nuk ishte as makina ku mendohet se u vranë dy personat.