23 vjet nga (MOS)Marrëveshja e Ohrit – të qeshim apo të qajmë?!

Shkruan: Fejzi Hajdari

Dokumenti u quajt si i Ohrit, ishte akti i fundit (final) i përmbylljes së aktiviteteve luftarake gjegjësisht nënshkrimit të këtij dokumentit që do ta çonte vendin drejtë paqes, u mbajt pikërisht në këtë qytet buzëliqenas. Marrëveshjen e nënshkruan faktorët ndërkombëtarë dhe aktorët kryesorë të skenës politike të atëhershme, shqiptarë e maqedonas, me “garancën” e implementimit të këtij dokumenti në afat kohor 2002-2006.

Pas 23 vitesh, shqiptarët duke qenë në një pozitë, ashtu sic janë sot, mossuksesin e implementimit më të madh të Marrëveshjes së Ohrit (MO) dëshirojnë ta “mjegullojnë” nëpërmjet debateve zhurmuese që i organizozjnë gjithandej ku kanë ndikim në media Shkup-Prishtinë-Tiranë.

A e ndryshoi Marrëveshja e Ohrit, esencialisht pozitën kushtetuese-juridike të shqiptarëve? Nëse shikohet në esencë, Marrëveshja e Ohrit e betonoi konceptin unitar të këtij shteti (dmth si shtet i maqedonasve), gjë që ishte edhe synimi kryesor i faktorit politik maqedonas, por edhe i Akademisë dhe Kishës Maqedonase.

Shqiptarët të paktën me deklarime publike, synonin konceptin e shtetit “binacional” ose “multietnik”. Megjithëse njëra ndërkomunikatat e atëhershme të UÇK-së, fillimisht thoshte se do të luftohet për “territor”, Komunikata tjetër pasuese e demantoi atë paraprake…na doli se “shqiptarët luftojnë për avancimin e të drejtave”.

Ata që nuk pajtoheshin me “luftën për të drejtat”, përdornin argumentin se “luftrat bëhen për territore” dhe jo “për të drejta”. Gjithçka që ndodhi më pastaj, ishte punë e pazareve politike mes maqedonasve dhe shqiptarëve politikë. Kur skenës politike pak më vonë iu bashkangjitë edhe BDI-ja, atëherë filloi një “përmirësimi” fasadues i gjendjes së shqiptarëve në kontekst vetëm të përfaqësimit (punësimit) të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Menjëherë pas fillimit të punësimeve konform “parimit të përfaqësimit proporcional”, nga LSDM-ja e atëhershme që ishte pjesë e qeverisë, kuptohet së bashkë me pëlqimin e BDI-së, pasoi hartimi i “Planit aksinonal” për implementimin e Marrëveshjes. Ishte pikërisht ky “Plan…”, i cili implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (MO) nga përfundimi në viti 2006, e zgjati deri në pakufi. Pra, me njëfarë mënyre, në këtë rast nënshkrua “Marrëveshje” për “Marrëveshjen e Ohrit”.

Pra, edhe sot faktori politik shqiptarë (sidomos BDI-ja) flet për (mos)implementimin e Marrëveshjes së Ohrit!!! Më fjalë tjera, BDI dhe LSDM, arritën marrëveshje për zgjatjen e agonisë së shqiptarëve, e cila sot po rezulton me pakënaqësi masive tek të rinjtë shqiptarë, të cilët në përmasa alarmante po ikin nga Maqedonia e Veriut. Të përkujtojmë se përfaqësuesit e lartë të BDI-së, diku rreth vitit 2020, Marrëveshjen e Ohrit e shpallën të përfunduar(!!), megjithëse kërkesat bazike, fundamentale mbetën të parealizuara.

Ruajtja me çdo kusht e konceptit unitar të shtetit nga maqedonasit, dhe mosangazhimi serioz e këmbëngulës i partive shqiptare shqiptare (sidomos BDI-së) për ta bërë shtetin (pra konceptin shtetëror) binacional apo të paktën multietnik, siç është Republika e Kosovës ku sërbët me 3 për qind kanë status shumëherë më të avacuar se shqiptarët e Maqedonisë më mbi 30%, edhe më tepër shtuan dozën e pesimizmit, dëshpërimit e zhgënjimit, tek shqiptarët e këtushëm.

Ndërkohë që subjektet politike kryesore maqedonase e “ruanin” (sepse ju nevojitej) me çdo kusht BDI-në me të cilën bashkëqeverisën për 22 vite rresht, në periudha të ndryshme kohore (herë LSDM, e herë VMRO-DPMNE), shkalla e pesimizmit shtohej tek shqiptarët. Pesimizmi i qytetarëve shqiptarë bazohej në fakte konkrete. Për shembull hulumtimet tregonin se akoma në shumë institucione, nuk kishte asnjë të punësuar shqiptarë edhe pas 22 viteve nga MO-ja. Një tregues tjetër i madh është njësiti special policor “Tigrat” ku edhe sot nuk ka asnjë shqiptarë të punësuar, poashtu edhe njësitet tjera speciale, si ato “Vollci” (ujqët) nuk janë më mir… Të mos flasim për institucionet tjera të rëndësishme ku shqiptarët “vetëm shërbejnë”, sepse nuk kanë kurrfarë pozitash, rrjedhimisht as ndikim në vendimmarrje.

Pra edhe ajo pak sasi që u shtua në institucione, ishte më shumë kuantitet sesa kualitet. Nuk dua të flasim për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, përdorimin e flamurit kombëtarë të shqiptarëve, që nuk janë as në nivelin e sërbëve të Kosovës… Çfarë të themi për faktin zhgënjyes, se ky shtet ka ndarë mjete financiare nga buxheti i shtetit, aty ky janë edhe paratë e shqiptarëve, për të hartuar Enciklopedi dhe libra shkollorë shumë fyes për shqiptarët, nga të cilat mësojnë edhe nxënësit shqiptarë… Çfarë të them për rastet e montuara gjyqësoro-politike për shqiptarët, duke filluar nga “rasti i Sopotit”, ku dëgjuam nga “bomba” (përgjimet) se si shqiptarët mbahen të pafajshëm në burg.

Çfarë të thuhet për rastin “Lagjja e Trimave” ku shqiptarët e politikës dhe të shërbimeve dalin të implikuar, pastaj rasti “Monstra”, “Alfa”… pothuajse në të gjithë këto raste vuajnë të pafajshëm dënimin njerëzit të cilët aspak nuk janë me faj, ndërkohë që tek të gjitha rastet politika shqiptare në një mënyrë, ose tjetër, është e përfshirë.

Asnjë nga këto raste nuk është ndriçuar, dhe kurrë, ama kurrë, nuk është zbuluar se kush ka qenë urdhërdhënës i rasteve!? Çfarë të themi për mosrregullimin e statusit të ushtarëve të UÇK-së, që buron nga MO-ja Dhe çfarë duhet të presin shqiptarët ose më mirë, a duhet të presin shqiptarët dicka nga politika shqiptare, edhe 23 vite pas Dokumentit të Ohrit, të cilin e nënshkruan ndërkombëtarët si “garancë”, e që realisht shumë pak, ama shumë pak, ua përmirësoi statusin kushtetues rrjedhimisht edhe standardin.

Paramendoni, statusin kushtetues shqiptarët e kishin shumë më të avancuar me Kushtetutën e 1974, sesa me kushtetutën aktuale. Shqiptarët kryetar Kuvendi kishin edhe gjatë komunizmit, Vullnet Starovën, kurse marrjen e këtij posti pas 40-50 vitesh, BDI-ja gatise e përshkroi si “akt historik!!!”. Njësoj tallje ishte edhe “kryeministri teknik shqiptar” i zijafeteve dhe synetive!!! Mungesa e sukseseve pikërisht nga implementimi i pikëpërpikshëm i MO-së, bëri që debatet të zbresin në nivelin debatues: “Ne e kishim këtë ministri, e ju s’e keni”!!???

Pra, debatet për të drejtat kombëtare të shqiptareve që zhvilloheshin në vitet e nëntëdhjeta, degraduan tek debati i “ministrive e posteve që (s’)kanë lekë”!! Pikërisht ky DEBAT I MARRËZISË dhe TURPIT, tregon sesa të pafuqishëm në vendmmarrje (qeveri), kanë qenë shqiptarët politikë.

Dilemë dhe halli i shqiptarëve sot është ky: Të qeshim apo të qajmë?