22 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe ishte diplomuar.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviçit.

Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, ku edhe u dënua me 5 vite burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri më tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, filozofi, shkrimtari, publicisti dhe atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti konsiderohet ende i zhdukur.

Ramush Haradinaj ka përkujtuar veprën e intelektualit Ukshin Hoti, ndërsa e vlerëson si zërin moral të shoqërisë shqiptare.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj shkruan se Hoti, formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së.

Reagimi i plotë:

Zëri moral i shoqërisë shqiptare, intelektual kryengritës, trim e guximtar që nuk u thye kurrë. I tillë ishte Ukshin Hoti.

Rrezatues mbi injorancën, që asnjëherë nuk e lejoi korruptimin e dijes, ai ishte ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i cili e arsyetoi dhe zbërtheu në teori e praktikë, kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë, barazinë dhe Republikën.

Ai formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së.

Ai promovoi etikën politike, sepse politika pa etikë nuk nxit ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, duke u bërë shembull që duhet ndjekur nga elitat politike të shqiptarëve gjithandej.

Për shkak të këndvështrimit të tij të veçantë politik, ai shfaqte rrezik të përhershëm për regjimin.

Ai u përndjek dhe u burgos nga organet e pushtuesit, e më pas u zhduk fizikisht, e ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij.

Por, ata kurrë nuk arritën të shuajnë idetë, të cilat me krenari vazhdojmë t’i ndjekim.

Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi. RH