22 të vdekur nga tërmeti në Turqi, mbi 1 mijë të plagosur

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën, mbi 1 mijë janë plagosur, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë 6.8 të shkallës rihter, që goditi mbrëmjen e së premtes pjesën lindore të Turqisë.

Tërmeti i fuqishëm ishte me epiqendër në Sivrice, provincë e Elazig. Shumë ndërtesa e shembën, ndërsa njerëzit e kaluan natën jashtë në të ftohtë. Tërmeti i parë i fuqishëm u shoqërua nga mbi 200 lëkundje më te lehta, deri në 5 ballë. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Siri, Liban dhe në Iran.

Autoritetet Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive (AFAD) zbritën menjëherë në terren dhe vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit nën rrënoja, ndërsa u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos kthehen në godina për shkak se ekziston mundësia që një tërmet pak më i lehtë se i pari mund të shkaktonte dëme edhe më të mëdha.

AFAD bëri të ditur se 16 persona kanë humbur jetën në provincën e Elazigut, ndërsa në 4 të tjerë kanë vdekur në Malatya.

Turqia ka një histori me tërmete të fuqishëm. Më shumë se 17 mijë persona humbën jetën në gusht të vitit 1999 kur një tërmet me magnitudë 7.6 rihter goditi qytetin perëndimor të Izmirit.