2000 amendamente për ta bllokuar Kuvendin, Snopçe: Ligji për shtetësi më i rëndësishëm se gjithë ligjet tjera (VIDEO)

Deputetët e koalicionit opozitar ASH-AAA, kanë vazhduar edhe sot me dorëzimin e amendamenteve në Kuvend për të bllokuar punën e institucionit ligjvënës pasi ditë më parë partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE bllokoi pr/ligjin për shtetësi duke dorëzuar mbi 500 amendamente, shkruan gazeta LAJM. Sipas të informacioneve nga Kuvendi, vetëm sot deputetët opozitar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kanë dorëzuar 2000 amendamente, ndërsa dje mbi 500. Deputeti Halil Snopçe i tha gazetës LAJM, se bllokada e Kuvendit do të vijojë derisa nuk zhbllokohet pr/ligji për shtetësi, pasi sipas tij, nuk ka ligj më të rëndësishëm se ky. “Sikurse dje edhe sot po dërgojmë amendamente në Kuvend, konform vendimit partiak pas bllokimit të Ligjit për shtetësi. Ju e dini se bllokimi i Ligji për shtetësi ishte i njëanshëm. Nga njëra anë partia në pushtet del me vendim të Qeverisë së Ligji është kundërkushtetues pa ofruar asnjë zgjidhje. Është një bllokad totale dhe ne për momentin konsiderojmë se nuk ka ligj më të rëndësishëm se Ligji i shtetësisë për shkak se në mungesë të tij shumë qytetarë kanë probleme të ndryshme”, u shpreh deputeti Halil Snopçe për gazetën LAJM.