19 vite në pritje të lapidarit në Sllupçan! Aktualisht po punohet, por nuk dihet se kur do të përfundojë

-Sigurisht që sot po fillojnë punimet për ndërtimin e këtij monumenti. Me 28 Nëntor ky monument do të përfundohet, tha Ali Ahmeti, kryetar BDI.

Këtë e tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti në Sllupçan, në 20 vjetorin e luftës së vitit 2001.

28 nëntori kaloi, por lapidari ende nuk ka përfunduar.

Një nga anëtarët e familjes Zimberi thotë se lapidari  ka rëndësi të madhe jo vetëm për familjen e tij por për gjithë shqiptarët, andaj shpreson që sa më shpejt të përfundojë.

“Ka gati mbi 20 vite që ka përfunduar lufta dhe lapidari si simbol ndoshta i luftës dhe i varrezave është dashur moti kohë të përfundohet. Për fat të keq rrethanat që unë nuk i di dhe nuk mund të spekuloj se pse është vonuar kaq shumë ndërtimi i lapidarit. Si familje por edhe për të gjithë ish ushtarë të UÇK-së ka rëndësi shumë të veçantë. Shumë herë është kërkuare përgjegjësi për këtë punë, por kësaj here mendoj se çështja do të përmbyllet”, theksoi Llokman Zimberi.

Aktualisht po punohet, por banorët e Sllupçanit thonë se ndërtimi është dashur të mbarojë me kohë, sepse ka 19 vite që është premtuar.

 “Gjatë rrugës dalin edhe pengesa, edhe neglizhencë, oportunizëm gjithçka ka nëpër terrenet tona, ky kompleks së bashku me lapidarin është bërë me shumë vështirësi. Ka pas shumë probleme për shkak se në Maqedoni nuk ka ligj për UÇK dhe në mungesë të një ligji për UÇK nuk ka as mbulesë juridike për të pasur varrezat e UÇK-së, komplekse memorialë në mungesë të këtyre ligjeve ne e kemi shumë problem për të bë edhe investime për ti bërë këto gjëra në mënyrë më të rregullt dhe më të mirëfilltë”, tha Sead Ramadani.

Nga Komuna e Likovës për TV21 theksuan se punimet kanë filluar këtë vit, por duke mos dhënë datë konkrete se kur do të përfundojnë. Sqarojnë se për të ardhur deri tek fillimi është dashur shumë kohë për përgatitjen e dokumentacionit teknik të cilat kanë kaluar në disa organe shtetërore, ndërsa shprehen se shumë shpejtë ky projekt do të bëhet realitet. Një prej arsyeve të ngadalësimit të punimeve e përmendin edhe krizën e shkaktuar nga Covid-19./TV21