18 vite pas: I dashur për maqedonasit, i braktisur nga shqiptarët! (Si të jetë me Kovid 19!)

Fejzi Hajdari

Joserioziteti, mashtrimet, manipulimet dhe intrigat politike, e lanë të braktisur nga shqiptarët Ali Ahmetin. Lideri që në vitin 2001 solli shpresën që shqiptarët do të bëhen qytetarë të barabartë në Iliridë, shumë shpejtë e lëshoi bajrakun. Sapo u ul në kolltukun e pushtetit në vitin 2002, dita ditës filloi të largohet nga Gëzim Ostreni, Hysni Shaqiri, Hazbi Lika e Rafiz Haliti, duke u afruar me Musa Xhaferin, Teuta Arifin, Agron Buxhakun, Ramiz Merkon, Artan Grubin e e Bujar Osmanin. Aroma e luksit filloi të ja shlyejë nga kujtimet gjakun e dëshmorëve, martirëve e invalidëve.
Njëkohësisht filluan të paraqiten edhe aferat e skandalet, që shoheshin në mënyrë proporcionale me largimin e Ahmetit prej grupit të parë dhe afrimin e tij me grupin e dytë.
Afera Telekom, ndarja e vendit në procedurë të dyshimtë për familjen Kamçev para Qendrës Tregtare në Shkup, heqja dorë nga Ligji për ish ushtarët dhe invalidët e U:K-së, pajtimi me ligj të cunguar për gjuhën shqipe, ishin disa prej lëshimeve që e bën Ahmetin të pëlqyer për maqedonasit, por jo për shqiptarët.
Lideri i sinqertë, u shndërrua në manipulant të llojit të vet. Krekosej me Marrëveshjen e Ohrit, e këndej bashkë me VMRO-në ia merte kompetencat Avokatit të Popullit, që të mos mundet të raportojë për mi 400 institucionet ku nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Para zgjedhjeve nxjerrte sytë me Gruevskin, pas zgjedhjeve bëheshin bashkë në qeveri. Premtonte se nuk e njeh legjitimitetin e Ivanovit, e me bojkot e ndihmonte zgjedhjen e tij. Kur rriheshin e vriteshin shqiptarët në Kumanovë e gjetiu, ai “menaxhonte situatën prej podrumi.
Rezultatin konkret të këtyre intrigave e pa sot. Politikani me të cilin mezi presin të takohen politikanët maqedonas, sot u braktis nga liderët shqiptarë. Mbeti vetëm me Artan Grubin dhe Teuta Arifin.