17-vjeçari francez thotë se është i lumtur që e refuzoi Real Madridin

Eduardo Camavinga e ka pranuar se ndihet i lajkatuar nga interesimi i Real Madridit për të, por këmbëngul se është i lumtur që e ka hedhur poshtë mundësinë për t’iu bashkuar gjigantit spanjoll, në mënyrë që të qëndrojë në Rennes edhe këtë sezon.

Për Camavingan është përfolur shumë se do t’i bashkohet kampionit të La Ligës Madridit. Edhe kampioni i Francës, Paris Saint-Germain ka shfaqur interesimin për mesfushorin 17-vjeçar.

Debutuesi më i ri në moshë i Francës që prej vitit 1914, i cili u paraqit për ekipin kombëtar të gjelave në fitoren 4:2 kundër Kroacisë në Ligën e Kombeve, është i përkushtuar të luajë për Rennes edhe këtë sezon.

I pyetur për interesimin nga Real Madridi, Camavinga the për Telefoot: “Natyrisht se është shumë mirë kur një ekip i madh interesohet për ju. Por nuk do të kaplohem nga emocionet”.

“Vendimin për të qëndruar në Rennes e mora bashkë me familjen. Jemi të lumtur që kemi vendosur kështu. Unë dua thjesht të përqendrohem në futboll dhe të mos mendoj shumë për gjërat e tjera rreth tij”, shtoi ai.

“Jeta është shumë e mirë në këtë çast”, nënvizoi ai. /Gazeta Express/