1655 motoçiklistë të sanksionuar gjatë muajit qershor, 49 motoçikleta të konfiskuara

Gjatë muajit qershor, në të gjithë territorin e vendit janë kryer kontrolle të intensifikuara për sanksionimin e kundërvajtjeve të kryera nga drejtuesit e motoçikletave, gjatë të cilave janë sanksionuar 1655 drejtues mjetesh. Prej tyre 999 drejtues motoçikletash nuk kanë përdorur kaskë mbrojtëse gjatë drejtimit të motoçikletës, 389 kanë vozitur pa patentë përkatëse, ndërsa 49 motoçikleta janë konfiskuar për leje qarkullimi të skaduar.

Nga MPB-ja njoftojnë se aksionet e intensifikuara të kontrolleve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ata u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të motoçikletave që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.