16-vjeçarja pacientja më e re e hospitalizuar në Shkup

Një 16-vjeçare nga Tetova është pacientja më e re e hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Ajo është në gjendje të rëndë shëndetësore tregon drejtoresha e spitalit, Milena Stevanoviq.

“Një pacientë 16 vjeçare nga Tetova ka simptome të rënda të koronavirusit. Momentalisht nuk kemi informacione nëse ka sëmundje kronike”, tha Milena Stevanoviq – Drejtoreshë në Klinikën për Sëmundje Infektive.

Ndërkaq Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar ka nisur procedurë për të vërtetuar mënyrën se si është mjekuar 17-vjeçarja nga fshati Sopoticë i Demir Kapisë e cila dje humbi jetën në klinikë. Ajo mjekimin e ka nisur me mjekun amë në Demir Hisar dhe më pas është hospitalizuar në Manastir dhe humbi jetën në Shkup. Dje nga virusi korona jetën e humbi edhe një 36-vjeçare në spitalin e Velesit.

“Pacientja 36-vjeçare është sjellë në spital më datë 23 tetor, ndërsa më datë 28 tetor është regjistruar si pozitive me koronavirus dhe nuk ka qenë e imunizuar për mbrojtje ndaj koronavirusit. Pacientja e cila ishte e hospitalizuar për shtatë ditë, kishte komorbiditet, paralizë cerebrale, e palëvizshme me paraplegji dhe epilepsi”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjekja Lilija Çolakova thotë se nuk duhet të mbillet panik te qytetarët. Ajo nuk pret që të përkeqësohet gjendja me virusin korona në vend pasi që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve e kanë kaluar virusin ndërsa një pjesë tjetër janë vaksinuar.

“Mendoj se me ndihëm e imunitetit kolektiv që e kemi fituar me pacientët që kanë kaluar virusin dhe janë rezistues ndaj virusit dhe ata të cilët janë të vaksinuar nuk pres që të ketë përkeqësim. Nuk dua që të frikësoj qytetarët që do të ndodh ndonjë skenar i frikshëm, pasi ata janë të vetëdijshëm dhe i respektojnë protokollet, kanë kujdes dhe i mbajnë maskat”, potencoi mjekja Lilija Çolakova.

Numri i të prekurve nga Kovid është rritur gjatë javës së kaluar. Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, për momentin janë 6191 raste aktive me Covid-19, ndërsa numri i të vdekurve që nga fillimi i pandemisë ka arritur 7072 viktima.

Javën e fundit janë regjistruar 2704 raste të reja pozitive në 33 qytete të vendit me një rritje prej 22,6 për qind krahasuar me javën e kaluar. Gjatë kësaj periudhe kanë vdekur 124 pacientë me Covid-19, nga të cilët mbi 78% ishin të pa vaksinuar gjegjësisht 97 pacientë kanë qenë të pavaksinuar dhe vetëm 27 nga të vdekurit kanë qenë të vaksinuar dhe të rivaksinuar./TV21