Policia do të largojë dhunuesit nga shtëpia për 48 orë, edhe nëse banesa është në pronësi të tyre

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje parashikojnë kompetenca të reja për policinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se polici do të mund ta largojë përkohësisht nga banesa personin e dyshuar për dhunë familjare, nëse konstaton rrezik serioz për viktimën.

Masa do të zgjasë deri në 48 orë dhe do të vlejë pavarësisht se në emër të kujt është prona.

Urdhri fillimisht mund të jepet gojarisht, ndërsa brenda gjashtë orëve duhet të formalizohet me shkrim. Për rastin do të njoftohen Qendra për Punë Sociale dhe gjykata, e cila më pas mund të vendosë për vazhdimin e masës deri në 30 ditë.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mundësinë e vendosjes së byzylykëve elektronikë për personat e dhunshëm.