13 vjeçarja shqiptare e lodhur nga jeta flet me lot në sy: “Më mirë që vdiq vëllai, shpëtoi nga tmerri ku jetojmë” (Video)

Më mirë të kishte ikur, të mos e jetonte këtë botë tërë tmerre, sëmundje, ankthe. Edhe po të sëmurej nuk do kishim lekë ta shëronim

Këto janë fjalë që dalin nga goja e një 13 vjeçareje shqiptare e quajtur Sonila. Ajo priste me padurim të mbante në duar vëllain e saj, por fati e kërkoi ndryshe. Foshnja humbi jetën dhe me të, nëna e Sonilës vijon prej shkurtit të qëndrojë në gjendje të rënduar psikologjike.
Babai i Sonilës nuk dëgjon dhe askush nuk e merr në punë, e përtej vështirësive që sjell sot koronavirusi, banesa e familjes Bego në Maliq është plotësisht e mjerë, e shkatërruar dhe pa asnjë kusht minimal.
Mësuesja e Sonilës, tregon gjendjen shpirtërore të vajzës. Sonila ka vështirësi edhe në të ecur dhe vuajtjet e saj, janë një pasqyrë e qartë e mjerimit të familjes Bego.
Mësuesja: Sonila ka qenë një fëmijë i brishtë, shumë e larguar dhe e tërhequr. I dukej vetja shumë poshtë. Më bëri shumë përshtypje dhe e kam mbajtur pranë, i kam biseduar dhe i kam thënë që të mos ketë frikë sepse është njëlloj si të gjithë fëmijët e tjerë. Më filloi të hapej dhe më tregoi problemet e mëdha familjare. Keq më ka ardhur dhe përherë jam munduar ta mbaj pranë. Vetëm njerëzit nuk mund të jetojnë atje ku jeton Sonila me familjen. Jam shokuar kur e kam parë atë banesë. Nuk mund të jetojnë njerëzit atje. Më vjen keq që e përmend, por ata as një vend për të ngrënë bukë nuk kanë.


Emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ e përcolli historinë e trishtë të kësaj familje me 5 pjesëtarë dhe përmes shqiptarëve, arriti të realizonte një surprizë.
Lajmin e mirë shkoi mësuese Liza t’ja jepte familjes. Sonila ishte e para që u çua të takojë mësuesen kujdestare. Të gjithë u nisën drejt qytezës së Maliqit dhe përpara një godine. Mësuese Liza i drejtohet Sonilës me një çelës në dorë dhe i jep lajmin se shqiptarët ia kanë blerë një banesë të re.

13 vjeçarja hap derën dhe më në fund ka disa lotë gëzimi.
Sonila: Shumë faleminderit të gjithë shqiptarëve. Xhaxhi Elvisit dhe xhaxhi Sidritit që na ndihmuan. U gëzova shumë. Mu kthye jeta në lumturi tani, sikur jam në përralla. U gëzova shumë që tani mami e babi kanë një dhomë për të fjetur, se nuk kishin.

Babai: Shumë e bukur. Unë e falenderoj emisionin shqiptarët për shqiptarët, për këdo që ka kontribuar.

Nëna: Shumë e lumtur jam. Nuk e prisja. Shumë e lumtur jam, faleminderit. Fëmijët janë shumë afër me shkollën tani.
Elvis Naçi njoftoi po ashtu përmes emisionit, se dy familje shqiptare të Kosovës që jetojnë në Zvicër, do ta ndihmojnë me një pension dhe shumë parash këtë familje.
Naçi: Kam një lajm të mirë. Më kontakton familja Ademi me origjinë nga Tetova dhe që jetojnë në Zvicër. Më thonë që për familjen Bego, për një vit do t’i vendosim 200 franga si pension. Një tjetër mesazh më thotë, që kësa familje do t’i japim me dëshirë 500 franga zviceriane.