Pesë persona e kanë sulmuar fizikisht me thika dhe shkopinj bejsbolli.
Një fëmijë 13-vjeçar po lufton për jetën pasi është goditur me thikë gjatë një përleshjeje në rrugën “Brigada Maqedono-Kosovare”, në lagjen Çair të Shkupit.
Sipas burimeve spitalore, gjendja e fëmijës është jashtëzakonisht e rëndë.
Në incident kanë marrë pjesë pesë persona – katër të mitur dhe një person madhor, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Gjatë sulmit janë përdorur thika dhe shkopinj bejsbolli.
Njëri prej të miturve, i lindur në vitin 2012, ka pranuar se ka përdorur thikë. Megjithatë, hetimi duhet të përcaktojë nëse pikërisht me atë thikë janë shkaktuar plagët e rënda të 13-vjeçarit.
Vëllai i tij, i lindur në vitin 2007, ka refuzuar të japë deklaratë.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përcaktimin e rolit të secilit prej pjesëmarrësve.
Për rastin pritet të përgatitet kallëzim penal për tentativë vrasjeje.



