12 teza për Revolucionin e vitit 1981

Prof. Dr. Bajram Kosumi

Teza 1.
Në vitin 1981 rihapet çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo çështje llogaritej e mbyllur në politikën ndërkombëtare që nga Konferenca e Versajës. Mbas vitit 1981 qendrat e vendosjes ndërkombëtare e kuptuan se çështja nuk është e zgjidhur dhe se një ditë duhet të zgjidhet.

Teza 2.
Kërkesa për Republikën e Kosovës, si kërkesë optimale e lëvizjes patriotike, u përqafua nga masa të gjëra popullore. Deri atëherë, lëvizja patriotike e udhëhequr nga Adem Demaci, Metush Krasniqi etj. përqafohej vetëm në rrethe të vogla dhe ilegalisht. Kërkesa për Republikën e Kosovës u bë kërkesë gjithë popullore. Shqiptarët nuk do ta pranojnë më autonominë dhe nënshtrimin në sistemin serbo-jugosllav, por projektuan mëvetësinë e tyre në kuadër të federatës.

Teza 3.
Në vitin 1981 në Kosovë doli në skenë një klasë e re politike me një mendim të ri politik, me një mendësi të re humaniste, ndërsa klasa komuniste e dirigjuar nga Beogradi, e cila e mbante si trofe autonominë e Kosovës, nis ta numërojë fundin. Kjo klasë e re politike nuk e pranoi statusin inferior të kombit shqiptar në Jugosllavi: ajo kërkoi barazinë e shqiptarëve me secilin komb tjetër dhe lirinë e Kosovës si në çdo pjesë tjetër të Jugosllavisë.

Teza 4.
Në vitin 1981 u bë një ndryshim thelbësor në lëvizjen patriotike. Deri atëherë lëvizja vuante prej fragmentaritetit: me arrestimin e një grup ilegal bëhej një ndërprerje e aktivitetit deri te formimi i një grupi tjetër. Po aq, grupet ilegale nuk mbanin kontakte midis tyre dhe nuk mund t’i koordinonin veprimet, për shkak të kushteve të ilegalitetit. Ndërsa klasa e re krijoi unitetin e të gjitha grupeve ilegale, kapërceu fragmentaritetin e deriatëhershëm të lëvizjes kombëtare, e krijoi kontinuitetin dhe udhëhoqi proceset politike deri në fitore. Kjo klasë politike e farkuar në vitin 1981, vetë ose përmes pasuesve të tyre, e udhëhoqi luftën politike dhe ushtarake të UCK deri në çlirimin e Kosovës.

Teza 5.
Viti 1981 e shndërroi Kosovën në Piemont shqiptar. Demonstratat u bënë ngjarja qendrore kah e cila u kthyen të gjitha politikat shqiptare, të gjitha strukturat sociale dhe shqiptarët e të gjitha anëve të botës. Mbas gati njëqind vite ndarje brenda shqiptare dhe mbas dyzet vjet ideologjie komuniste, të mjaftueshme për rrezikun e shpërfytyrimit kombëtar, viti 1981 ribashkoi shqiptarët rreth trungut kombëtar dhe lirisë. Tema e Kosovës bëhet temë e çdo shqiptari në cilindo cep të botës.

Teza 6.
Shtetet e Perëndimit e ndryshojnë qasjen ndaj Jugosllavisë. Deri atëherë Jugosllavia përjetohej në publikun perëndimor si “parajsë socialiste”. Demonstratat e vitit 1981 u pasqyruan detajisht në të gjitha gazetat e rëndësishme perëndimore, si në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Francë, Austri, Itali etj. Të gjitha këto gazeta flasin me tone pozitive dhe me miradashje për demonstratat dhe kërkesat e tyre dhe e kundërta, flasin me tone kritike e negative për Beogradin, Jugosllavinë dhe qasjen e tyre ndaj Kosovës.

Teza 7.
Nacionalizmi dhe marksizmi i manifestuar në Revolucionin e vitit 1981 duhet të studiohet me kujdes dhe pa asnjë paragjykim. Nacionalizmi shqiptar ka pasur, si thotë Rexhep Qosja, premisa të një “Rilindje të Dytë Kombëtare”, pra ka pasur vlera rilindëse dhe humaniste. Është nacionalizëm që e dallon dhe afirmon vlerën e vet, pa urryer të tjerët.
Njësoj mund të thuhet edhe për marksizmin. Këtu ka dy nënteza:
– e para, marksizmi i kësaj klase të re politike është i mësuar prej librave të Marksit dhe nuk ka të bëjë asgjë me praktikat komuniste të asaj kohe, sidomos ato të modelit rus;
– e dyta, Shqipëria është adhuruar jo pse ka qenë komuniste, por pse ka qenë trungu shqiptar dhe mbështetje për çlirimin e Kosovës. Nuk do të mund të paramendohej në asnjë variant një luftë në Kosovë pa marrëdhënie vëllazërore me Shqipërinë. Pa paragjykuar sistemin qeverisës a ideologjik, Shqipëri për Kosovën dhe për këtë klasë politike ka qenë burim ushqimi kombëtar, kulturor, historik e shpirtëror.
Në politikën e Kosovës, nga viti 1990 e deri në përfundim të luftës këto dy teza janë manipuluar prej disa politikanëve dhe intelektualëve të rritur në hijen e shtetit jugosllav: e akuzonin klasën politike të ’81 për marksiste për ta eliminuar më lehtë nga skena politike, ata që vetë kishin udhëhequr si sekretar partie në nivele të ndryshme Lidhjen Komuniste Jugosllave.

Teza 8.
Krye-esenca e demonstratave të 1981 ka qenë liria, e shprehur në kërkesën për Republikë. Çdo prirje për liri në thelbin e vet është humaniste dhe demokratike, sepse vetë koncepti liri nënkupton humanizmin dhe demokracinë. Kjo e ka bërë Ukshin Hotin të thotë se pa vitin 1981 nuk mund të kuptohet demokracia e Kosovës dhe rruga e saj kah Evropa. Edhe unë besoj, si Hoti, se nyja e demokracisë shqiptare në Kosovë është viti 1981.

Teza 9.
Viti 1981 ishte paralajmërimi i parë i rrezikut që paraqitte ekspansionizmi serb në emër të RSFJ. Dhuna që Jugosllavia përdori në Kosovë ndaj demonstruesve paqësorë ishte tregues alarmant. Prapa parullës së “vëllazërim-bashkimit” në Serbi u zhvillua furishëm politika ultranacionaliste, e cila do ta shpije Jugosllavinë në disa luftëra të përgjakshme.
Revolucioni i vitit 1981 e demaskoi ultranacionalizmin serb dhe e filloi luftën kundër ultranacionalizmit serb. Me të drejtë shumë studiues, si Tim Judah, Miranda Vikers, Enver Hasani etj. thonë se shpërbërja e Jugosllavisë ka filluar në vitin 1981 në Kosovë.

Teza 10.
Vlen të përmendet edhe teza që e ka krijuar historiani Ethem Ceku. Sipas tij, revolucioni i vitit 1981 ndikoi edhe në politikën e jashtme të Shqipërisë drejt disa hapave të vegjël për de-izolim. Udhëheqja e atëhershme shqiptare kërkoi nga diplomacia shqiptare “riformatizimin” e politikës së jashtme ndaj vendeve të fuqishme perëndimore (Gjermania, Austria, Italia, Turqia etj.), për të ndikuar te ato angazhimi në mbrojtjen e Kosovës.

Teza 11.
Revolucioni i Kosovës në 1981 dhe revolucioni polak në 1981 patën ndikim edhe në pozicionin e socializmit global rus: ato rrënuan dy premisat kryesore të socializmit botëror. Revolucioni polak rrënoi premisën e barazisë sociale, duke nxjerrë në shesh dallimet e mëdha sociale dhe papajtueshmërinë e popullit me një drejtësi të tillë sociale. Revolucioni i Kosovës rrënoi premisën e barazisë nacionale, duke nxjerrë në shesh aspiratat e gjithmonshme të kombit të madh socialist për të shkombëtarizuar kombet e vogla socialiste, nën propagandën e “vëllazërim-bashkimit”, dhe nxori në shesh vendosmërinë e një kombi të vogël për të luftuar deri në fund për liri.
Këto dy revolucione, në Kosovë dhe në Poloni, në të njëjtën kohë, i pari revolucion nacional e i dyti revolucion social e shtynë socializmin botëror kah disfata e plotë.

Teza 12.
Dyzet vjet prapa, kohë kjo e mjaftueshme për të parë një ngjarje historike në të gjitha përmasat, ende nuk ka një emërtim për ato ngjarje themelore për historinë e re të Kosovës. Ose më drejt, ka disa emërtime, po kur një proces ka shumë emërtime është si të mos ketë fare. Duhet të provojmë t’i emërtojmë ngjarjet pa asnjë ndajshtesë, brenda diskursit historik dhe vetëm ashtu si janë: viti 1981 është një revolucion në lëvizjen patriotike shqiptare, i cili nuk u ndal asnjëherë dhe nuk pati asnjë shkëputje deri në çlirimin e Kosovës. Në këtë terminologji, koncepti “lëvizje patriotike”, ashtu si e kemi shquar ne vetë lëvizjen tonë, është koncept i gjerë dhe paraqet të gjitha idetë dhe veprimet që nga Hasan Prishtina e Komiteti Mbrojtja e Kosovës e këndej për çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia. Ndërsa koncepti “revolucion” paraqet një pjesë të kësaj lëvizje, e filluar në vitin 1981 dhe i përfunduar në qershor të vitit 1999.
Fundja, edhe gjykatat jugosllave na kanë dënuar si “kundër-revolucionar”. Meqenëse ato gjykata kanë vepruar nën diktimin e ideologjisë në pushtet, atëherë mjafton t’i hiqet parashtesa “anti” dhe të mbetet emri i vërtetë i atij viti.