1.6 milionë Euro për lirinë e Ronaldinho

32 ditë ka zgjatur makthi për yllin e futbollit botëror, Ronaldinho. Braziliani mund të marrë frymë lirisht tashmë, pasi la qelitë e burgut, por përfundoi në arrest shtëpie në një hotel në Asunsion.

Sikurse njoftojnë mediat në Brazil, Ronaldinho dhe vëllai i tij kanë paguar 1.6 milionë Euro si garanci për të dalë nga burgu. Dy vëllezërit do të kontrollohen ditë e natë nga policia, që të mos arratisen nga Paraguai.

Edhe në kushtet e heqjes së lirisë 40-vjeçari tregoi klasin e tij, duke triumfuar në një turne kalçetoje brenda burgut, por më pas u eliminua në sfidën në çift në futboll-volley, kundër një vrasësi dhe një hajduti. Ish-lojtari i Milanit dhe Barcelonës ndodhej pas hekurave që prej 6 Marsit pasi u ndalua nga policia paraguajane, për shkak se zotëronte një pasaportë false, ku rezultonte si shtetas paraguajan.

Çështja e Ronaldinhos mund të zgjasë më shumë nga sa pritej fillimisht për t’u zgjidhur. Shkak është bërë pandemia e koronavirusit, pasi jo të gjitha gjykatat e Paraguajit po punojnë në kapacitetet e tyre të plota. Ish-futbollisti dhe vëllai i tij do të mbahen në dhoma të veçanta të hotelit, deri kur problemet e tyre me shtetin të marrin fund.