​Policia mban në paraburgim 48-orësh Haxhi Hotin, kërcënoi me jetë Albin Kurtin

Policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar në rrjete sociale dhe sipas detyrës zyrtare ka ndërmarrë veprimet konform autorizimeve ligjore duke trajtuar rastin si ‘shtytje në vrasje’.

Sipas zëdhënësit të PK-së, Daut Hoxha, tha për KosovaPress, se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe personi i dyshuar është kërkuar dhe nuk është gjet në shtëpi.

“Të njëjtit i është lënë ftesa për paraqitje të menjëhershme në polici dhe janë njoftuar të gjitha njësitet policore se kudo që takohet i njëjti të arrestohet. I dyshuari pas paraqitjes në polici me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme”, tha ai.

Haxhi Hoti, anëtari i Nismës Socialdemokrate po kërkohej për kërcënimin që ia bëri liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.

“Albin Kurti i ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, kishte shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook të cilin e kishte fshirë më pas me arsyetimin se ka ndodhur gabim teknik”.