​Mediat serbe spekulojnë për një takim të mundshëm Thaçi-Vuçiq

Nesër në Uashington mund të ketë një takim ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe homologut të tij nga Kosova Hashim Thaçi, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, transmeton Tanjug.

Sipas agjencisë së lajmeve serbe, takimi mund të ndërmjetësohej nga i dërguari presidencial i SHBA për dialogun Beograd-Prishtinë Richard Grenell.

Takimi nuk do të përfaqësojë vazhdimin e dialogut, pasi Vuçiq ka thënë vazhdimisht se në interes të gjetjes së një zgjidhje për çështjen e Kosovës, ai është i gatshëm për të gjitha bisedimet, por që vazhdimi i dialogut nuk është në dispozicion para se Prishtina të heqë taksën.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet për vizitë në Uashington, ku është takuar me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, si dhe ka vizituar selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prit nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha, dhe nga anëtarët e kësaj shoqate.