Në bisedën me Macronin, Kurti përmendi edhe Radoiçiqin dhe shantazhet e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedën telefonike të zhvilluar dje me presidentin francez, Emmanuel Macron, përmendi edhe sulmin e 24 shtatorit, në krye të cilit ishte Milan Radoiçiq dhe shantazhet e vazhdueshme të Serbisë karshi Kosovës.

Kjo u bë e ditur përmes komunikatës zyrtare së dërguar sot për media, njofton Klankosova.tv.

“Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit. Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatë, njofton Klankosova.tv.

Ndryshe, gjatë së martës, Kurti bëri të ditur përmes rrjetit social “X”, se Macronit i shprehu besimin “Franca do ta mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropë pa parakushte të mëtejme dhe në përputhje me opinionin dhe votën historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.

Ndërsa, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se në telefonatën me shefin e qeverisë së Kosovë, i ka kërkuar përshpejtim të themelimit të Asociacionit, të cilin e ka ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim, raporton Klankosova.tv.