“Kurrë mos thuaj kurrë” – Jose Mourinho i gatshëm për të marr klub të ri në verë

Jose Mourinho vazhdon të jetë trajner i lirë që kur u shkarkua nga Roma në janar pas rezultateve të dobëta në kampionatin italian.

Në dy muajt e fundit ka pasur shumë spekulime për të ardhmen e tij, duke e lidhur me shumë klube.

Në karrierën e tij ai ka drejtuar klube si Benfica, Leiria, Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid, Manchester United, Tottenham dhe Roma, ndaj është e logjikshme që ai të lidhet me klube të shumta.

Së fundmi mediat e kanë lidhur me Fenerbahcen si destinacion i mundshëm për portugezin, ndërsa Bild shkruante se ai është një nga kandidatët për të marrë stolin e Bayern Munich në verë.

Të dielën, Mourinho ishte i ftuar special në garën e Moto GP që u zhvillua në Portimao, qytet në jug të Portugalisë dhe përfaqësuesit e mediave vendase nuk e humbën rastin ta pyesin për planet e tij për të ardhmen.

“Ka lajme për të ardhmen time. Nuk kam klub dhe jam i lirë, por dua të punoj sërish gjatë verës”, deklaroi fillimisht portugezi.

Ai u pyet nëse po përjashtonte një rikthim në Portugali, duke thënë: “Kurrë mos thuaj kurrë”.

 

“Kurrë mos thuaj kurrë, veçanërisht në futboll. Jeta ime është futbolli, unë mund të stërvitem kudo, nuk kam asnjë problem me këtë”, deklaroi Jose Mourinho.