Zyrtari i VV-së: Po të isha votues në Maqedoni, do të votoja për Aleancën dhe Alternativën

Në zgjedhjet e 15 korrikut Vetëvendosja e Albin Kurtit fuqishëm do të përkrah koalicionin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.
Kjo pasi që anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Arbër Zaimi përmes një statusi në FB ka bërë thirrje që të shqiptarët e Maqedonisë së Veriut këto zgjedhje të rreshtohen pas koalicionit ASH-AAA.

“I njoh edhe personalisht prej vitesh tashmë disa nga veprimtarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, dhe mendoj se koalicioni që kanë lidhur për zgjedhjet atje është i qëlluar.

Mendoj se subjektet e vjetra, me të njëjtat taktika e veprime, nuk mund të sjellin diçka të re për shqiptarët e RMV, të cilët janë komunitet i madh e në vendin e vet, as të vajtur, as pakicë, as të tepërt.

Së fundi, kam patur mundësinë të njoh edhe të rinjtë nga këto dy subjekte, në ligjëratat që kam mbajtur, si i ftuar, në shkollat politike respektive. Mes atyre të rejave e të rinjve ka plot që në të ardhmen mund të jenë aktualizim i shpresave e dëshirave të shqiptarëve të RMV.

Po të isha votues atje, do u kisha besuar kësaj radhe këtyre dy subjekteve. (Me shpresën që nuk ndërhyn për t’i mbështetur Edi, Batoni dhe Genti, mbështetja e të cilëve kudo që po ndodh po sjell rezultate të këqija për shqiptarët.)” ka shkruar anëtari kryesisë së VV-së Arbër Zaimi në profilin e tij në Facebook.