Zyrtari i lartë kurd: Mijëra luftëtarë kurdë nisin ofensivën tokësore në Iran kundër regjimit

Një zyrtar nga Koalicioni i Forcave Politike të Kurdistanit Iranian (CPFIK) ka deklaruar se grupet e armatosura kurde me bazë në Irak kanë nisur tashmë një ofensivë ushtarake kundër forcave të regjimit iranian.

Sipas tij, luftëtarët kurdë të lidhur me Kurdistan Free Life Party (PJAK) kanë filluar të marrin pozicione luftarake brenda territorit iranian të hënën, më 2 mars.

“Lëvizjet tokësore ushtarake nga forcat kurde kundër Iranit kanë nisur që prej mesnatës së 2 marsit,” tha zyrtari për i24NEWS.

Ai shtoi se forcat iraniane janë tërhequr nga qyteti kufitar Mariwan më 3 mars dhe kanë filluar të vendosin pozicione mbrojtëse brenda dhe përreth zonës.

Sipas zyrtarit të CPFIK, luftëtarët e PJAK-ut janë vendosur në pozicione përreth maleve jugore të Mariwanit, në Iranin perëndimor. Ai tha se mijëra luftëtarë të PJAK-ut janë tashmë të dislokuar në rajonet malore të Iranit, veçanërisht thellë në vargmalet e Zagrosit.

PJAK operon me dy krahë të armatosur: YRK (Njësitë e Mbrojtjes së Kurdistanit Lindor) dhe HPJ (Forcat e Mbrojtjes së Grave), të cilat, sipas zyrtarit, janë modeluar sipas formacioneve kurde në Siri.