Zyra e Zelenskyt po hetohet nga agjencitë anti-korrupsion

Agjencitë ukrainase kundër korrupsionit kanë njoftuar të mërkurën se kanë nisur hetimin ndaj zyrtarëve të lartë në zyrën e presidentit Volodymyr Zelensky, vetëm një ditë pasi ish-ministri i Mbrojtjes Mykhailo Fedorov bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë, pavarësisht luftës me Rusinë.

Hetimi është një tjetër sfidë politike për Zelenskyn, ndërsa lufta ka hyrë në vitin e pestë.

Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit kanë thënë se po zhvillojnë një operacion për të zbuluar një organizatë kriminale që dyshohet se drejtohet nga një deputet aktual dhe një ish-deputet. Sipas tyre, në këtë çështje janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të zyrës presidenciale dhe persona të tjerë.

Autoritetet kanë thënë se më shumë detaje do të bëhen publike më vonë.

Zbulimi i hetimit përbën një tjetër provë për qëndrueshmërinë politike të Zelenskyt, i cili është përballur vazhdimisht me akuza dhe hetime për korrupsion në nivelet e larta.

Vitin e kaluar, shefi i kabinetit të tij, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqjen dhe më vonë është shpallur i dyshuar në një hetim të madh për korrupsion lidhur me një projekt luksoz ndërtimi.

Po ashtu, një skandal i madh për përvetësime dhe ryshfete në kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore, ka çuar në dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe Energjisë.

Bashkimi Evropian e ka identifikuar korrupsionin e rrënjosur thellë si një nga pengesat kryesore për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Zelensky është tashmë nën presion për shkak të shkarkimit muajin e kaluar të ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një nga anëtarët më jetëgjatë të ekipit të tij dhe një aleat i afërt që prej fushatës presidenciale të vitit 2019.

Zelensky ka riorganizuar udhëheqjen ushtarake në përpjekje për të zbutur tensionet mes inovatorëve të rinj dhe ekspertëve të teknologjisë në ministrinë e Mbrojtjes dhe komandantëve më të vjetër, të trajnuar në traditën sovjetike.

Ai ka shkakruar Fedorovin, i cili kishte ndërmarrë reforma në prokurimet ushtarake për të luftuar korrupsionin, si dhe komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, gjeneralin Oleksandr Syrskyi.

Shkarkimi i Fedorovit ka shkaktuar protesta disa ditore në mbështetje të tij. Për Zelenskyn, ishte hera e dytë brenda një viti që një vendim i marrë gjatë luftës shkaktonte reagim të fortë publik.

Të martën në mbrëmje, Fedorov ka publikuar një video në YouTube ku ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë, në një deklaratë që u duk si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Zelenskyt.

Presidenti ukrainas ka thënë herë pas here se zgjedhjet nuk mund të mbahen për sa kohë në vend është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme ushtarake, e vendosur për shkak të luftës me Rusinë.

“Duhet të gjejmë një mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i mundësojë Ukrainës të rivendosë një proces të plotë demokratik, edhe në mes të një lufte të zgjatur”, ka thënë Fedorov në videon e tij.

Ai ka shtuar se Ukraina po përballet me një krizë sistematike në mënyrën e qeverisjes, duke argumentuar se sistemi aktual është i orientuar drejt vetëmbrojtjes dhe rezistencës ndaj ndryshimeve.

Ai gjithashtu ka dënuar korrupsionin mes zyrtarëve, pa përmendur emra konkretë, duke thënë se kjo e ka dobësuar aftësinë e Ukrainës për ta zhvilluar luftën.

Zyra e Zelenskyt nuk ka dhënë ende ndonjë koment lidhur me deklaratën e Fedorov-it.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka hezituar të negociojë drejtpërdrejt një marrëveshje paqeje me Zelenskyn, pretendon se presidenti ukrainas është një udhëheqës jolegjitim, pasi mandati i tij ka përfunduar në vitin 2024.

Ndërkohë, Fedorov e ka publikuar fjalimin e tij disa orë pasi Parlamenti i Ukrainës mori propozimin zyrtar nga Zelensky për emërimin e Yevhenii Khmara-s si ministër të ri të Mbrojtjes, një lëvizje kjo që praktikisht mbyll derën për rikthimin e shpejtë të Fedoro-it në këtë post, gjë që ai e kishte kërkuar.

Ligjvënësit pritet të diskutojnë mbi kandidatin e propozuar nga presidenti ditën e mërkurë.