Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli t’i vazhdohet masa e paraburgimit. Sipas kërkesës së Prokurorisë, paraburgimi i Thaçit dhe Veselit është arsyetuar në baza të shumëfishta në mënyrë të përsëritur nga Gjykata e Apelit. Prokuroria ka thënë se caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin Thaçit e Veselit qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tyre, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator të vitit të kaluar, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. /Alsat.mk