Analisti Naser Zyberi, vlerëson se BDI-ja nuk dëshiron që zgjedhjet të mbahen pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së. Në një intervistë për LAJM.tv, Zyberi tha se bojkoti i zgjedhjeve nga VMRO-ja do t’i shkaktonte dëm të madh BDI-së, pasi në rrethana të tilla, LSDM-ja do të merrte numër të madh të deputetëve dhe nuk do të kishte nevojë për koalicion me partinë e Ali Ahmetit pas zgjedhjeve. Zyberi, në këtë intervistë ka folur edhe për idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar si dhe për opozitën shqiptare.
Zyberi: BDI-ja nuk do zgjedhje pa VMRO-DPMNE-në (VIDEO)
Zyberi: BDI-ja nuk do zgjedhje pa VMRO-DPMNE-në (VIDEO)
Posted by Lajm TV on Monday, June 15, 2020
“Kur është në pyetje caktimi i datës së zgjedhjeve, natyrshëm VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja janë të përafërta, në kuptimin që BDI-ja nuk dëshiron që të ketë zgjedhje pa pjesëmarrje të VMRO-DPMNE-së. Sigurisht, që edhe LSDM-ja nuk do ta donte një veprim të tillë. Por, dëmi që do të shkaktohet do të ishte me pasoja shumë më të mëdha për BDI-në sepse në situatë të tillë, LSDM-ja do të kishte numër absolute të vendeve në Parlament dhe në këtë mënyrë pjesëmarrjen e BDI-së e bën të parëndësishme në Qeveri. Pra, BDI-ja mund që fare të mos jetë pjesë e pushtetit, por edhe nëse do të jetë ajo do të jetë shprehje e vullnetit të mirë të LSDM-së sepse ky subjekt edhe pa votat e BDI-së do të mund ta formojë qeverinë. Shikuar nga ky prizëm, qendrimi i BDI-së graviton ndaj qendrimit të VMRO-DPMNE-së. Por, ndonjë afërim konceptual, politik, programor dhe koalicionuas aktualisht nuk ka sepse pritet rezultatet e zgjedhjeve. BDI nëse do të jetë subjekti që do të vendos kush do ta formojë qeverinë ajo do të përcaktohet për subjektin që do të ketë shumicën e vendeve në Parlament”, tha analisti Naser Zyberi për LAJM.tv.