Zvicra dëmshpërblen me nga 50,000 franga viktimat e zjarrit në Crans-Montana

Zvicra ka njoftuar të mërkurën se do të bëjë një pagesë të njëhershme prej 50,000 frangash zvicerane për të mbijetuarit e lënduar rëndë dhe familjet e viktimave të zjarrit në natën e Vitit të Ri, në një lokal në resortin e skive Crans-Montana, ku kanë humbur jetën 41 persona dhe kanë mbetur të lënduar mbi 100 të tjerë

I ashtuquajturi “kontribut solidariteti” synon të ofrojë mbështetje të shpejtë financiare për viktimat dhe të shërbejë si një gjest dhembshurie, ka thënë Këshilli Federal.

Në parim, pagesa do të zbatohet për secilin person që ka humbur jetën, si dhe për çdo person që është shtruar në spital, thuhet më tej në deklaratën e Këshillit Federal.

Autoritetet zvicerane kanë thënë se 116 persona janë lënduar nga zjarri. Shumica e viktimave që kanë humbur jetën ishin adoleshentë dhe shumë prej tyre ishin të huaj, përfshirë disa nga Franca dhe Italia.

Këshilli Federal ka thënë gjithashtu se do të thërrasë një tryezë të rrumbullakët për të ndihmuar viktimat, kompanitë e sigurimeve dhe autoritetet që të arrijnë marrëveshje jashtë gjykatës, duke shmangur kështu beteja të gjata ligjore. Ai synon të kontribuojë me deri në 20 milionë franga për marrëveshje të tilla.

Këshilli Federal shtoi se shpreson që parlamenti ta përshpejtojë miratimin e legjislacionit të hartuar për të ndihmuar viktimat.

Qeveria synon gjithashtu të ndajë 8.5 milionë franga për të ndihmuar kantonet e prekura të mbulojnë kostot e jashtëzakonshme.

Sipas qeverisë, këto masa u ndërmorën pas një analize nga Federal Office of Justice, e cila konstatoi boshllëqe në sistemet ekzistuese të mbështetjes, që janë kryesisht të dizajnuara për raste individuale dhe hasin vështirësi në përballimin e fatkeqësive në shkallë të gjerë.