Ndërsa Luciano Spalletti tha se dyshimi i tij i vetëm është midis Gianluca Scamacca dhe Mateo Retegui, ka ende shumë opsione për Italinë kundër Zvicrës. Në anën tjetër, Murat Yakin pritet t’i besojë thuajse të gjithë lojtarëve që luajtën titullar në grupe.
Zvicra dhe Italia fillojnë fazën e 1/8-tës me ndeshjen e tyre që pritet të fillojë nga ora 18:00 dhe të zhvillohet në ‘Olympiastadion’ të Berlinit.
Te Italia, disa ndryshime janë të detyrueshme, pasi Riccardo Calafiori është i pezulluar dhe Federico Dimarco i lënduar, por Alessandro Bastoni pritet të startojë pavarësisht se vuan nga simptomat e gripit.
Trajneri i Italisë konfirmoi tashmë në konferencën e tij për shtyp se Gianluca Mancini do të hyjë në qendër të mbrojtjes.
Ai gjithashtu tha se i vetmi dyshim në mendjen e tij është midis Scamacca dhe Retegui, por kjo nuk ka bindur mediat italiane të cila janë të sigurta se do të ketë ndryshime tjera në formacion.