Zvarritje pafund, Ministria e Financave nuk jep pëlqim: Çerdhja në Komunën e Tearcës nën dry

Çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës vazhdon të mbetet me dyer të mbyllura pasi Ministria e Financave ende nuk ka dhënë pëlqim për punësime, ndërkaq nuk tregon se kur do e japin ’aminin’, shkruan Portalb.mk.

Paraprakisht, Ministria e Fiancave dha pëlqim negativ për punësimet pasi procedura u zhvillua në fund të vitit, kur ekziston periudhë shumë e shkurtër për realizimin e punësimeve të reja.

Më pas nga ana e Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj është dhënë pëlqimi edhe për Planin Vjetor të Punësimit, si dhe është dërguar kërkesë për sigurimin e pëlqimit financiar për punësim.

“Pas marrjes së njoftimit nga Ministria e Financave për sigurimin e mjeteve në buxhet, çerdhja do të mund të fillojë procedurën e punësimit”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Por nga Ministria e Financave nuk tregojnë se kur konkretisht do të japin pëlqim.

“Ministria e Financave u përgjigjet të gjitha kërkesave të paraqitura nga shfrytëzuesit buxhetorë në përputhje me Ligjin për Buxhetet dhe brenda afatit të përcaktuar me ligj”, thanë nga Ministria e Financave.

 

Pavarësisht se kryetari komunës, Daut Memishi gjatë fushatës zgjedhore premtoi se çerdhja do të hapet në ditët e para pasi ai të vijë në krye të komunës, megjithatë nga Komuna e Tearcës me muaj nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske.

Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore edhe nga administrata e kaluar komunale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.