Zvarritet fillimi i punimeve për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, procesi ende në letra

Punimet në terren për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup vazhdojnë të zvarriten, procesi ka ngecur në procedura administrative, shkruan Portalb.mk. 

Nga Universiteti “Nënë Tereza” bëjnë të ditur se ende nuk është përcaktuar datë konkrete për fillimin zyrtar të punimeve ndërtimore të kampusit të ri.

“Aktualisht, aktivitetet që lidhen me kampusin e ri ndodhen në fazën e procedurave institucionale dhe administrative, në bashkëpunim me organet kompetente shtetërore. Universiteti ende nuk ka përcaktuar një datë konkrete për fillimin zyrtar të punimeve ndërtimore”, thanë nga UNT-ja. 

Nga Universiteti “Nënë Tereza” theksuan se për çdo vendim të mëtejshëm ose përcaktim të një afati konkret kohor, opinioni publik do të informohet me kohë përmes kanaleve zyrtare të Universitetit. 

Kujtojmë se nëntorin e vitit të kaluar, Universiteti “Nënë Tereza” reagoi ndaj publikimeve për shkurtimin e buxhetit qeveritar për ndërtimin e kampusit universitar, duke theksuar se projekti nuk është anuluar dhe se do të realizohet në faza, ndërsa aktualisht procesi ndodhet në procedura institucionale dhe administrative. 

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 16 shtatorit 2025 miratoi vendimin që parcela e cila më parë i takonte kazermës së Armatës, t’i bartet në pronësi të përhershme Universitetit “Nënë Tereza”. Me këtë u hape rruga për dhënien e lejes për ndërtim të kampusit të këtij Universiteti.

Ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhitipati premtuar 40 milionë euro investime për kampusin e ri universitar, por ky buxhet nuk figuron në propozim-buxhetin e vitit 2026-të. 

Kujtojmë se, prej kohës kur ministër i arsimit dhe shkencës ishte tashmë i ndjeri Abdilaqim Ademiu premtua se do të ndërtohet objekti për Universitetin e Tetovës-Studimet e disperzuara në Shkup. Por, pas mbylljes së këtyre drejtimeve, u premtua se vendi dhe objekti do të ndërtohet për interesat e universitetit të ri në Shkup, Universitetit “Nënë Tereza”.