Zvarriten sërish punimet në autostradën Kërçovë-Ohër

Qytetarët nuk besojnë se autostrada Ohër -Kërçovë do të jetë gati deri në vitin 2021 ashtu siç premtoi Qeveria. Në rrugën nga dalja e Ohrit deri në aeroport, vërejtëm mezi pesë punëtorë nga Shqipëria, që punojnë në autostradë.

“Në vitin 2025 ndoshta po, por jo më herët. Ne nuk kemi siguri. Ne nuk kemi një mbikalim dhe nuk ka siguri”

“A i shihni punëtorët në rrugë? Shumë pak, tani do të ketë edhe më pak”

Megjithëse rruga 57 km e gjatë supozohej të ishte gati në 2017, pothuajse tre vjet kanë kaluar që atëherë, dhe gjërat ende po shkojnë me një ritëm shumë të ngadaltë.

Në vend të asfaltit në shumë vende në autostradë ka barë dhe ferra. Edhe ajo që është bërë deri më tani po prishet. Ekipi i Alsat regjistroi, se në shumë vende të autostradës ka shumë pak punëtorë, dhe makineria e ndërtimit ishte jofunksionale.

Edhe arkitekti Dimitar Zarçev për ALSAT deklaroi se është mision i pamundur të përfundojë deri në vitin 2021, për shkak të ritmit të ngadaltë të punës. Drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore, Zoran Kitanov, tha dje se deri tani kanë përfunduar 60% e punimeve në autostradë. Sipas tij, seksioni do të lëshohet në përdorim gradualisht pasi të përfundojnë punimet dhe se 40 km e para të autostradës do të jenë në funksion para vitit 2021.