Zv/kryeministri i parë Bekim Sali, ka njoftuar se sot në Kuvend, në Këshillin Nacional për Eurointegrime, Komisioni për Çështje Evropiane, ka marrë pjesë në diskutimin mbi programin dhe strategjinë e kryesimit të Bashkimit Europian nga ana e Republikës së Qipros për periudhën janar–qershor 2026, të prezantuar nga ambasadori Andreas Fotiu.
“Ky kryesim, me moton “Evropë autonome, e hapur ndaj botës”, hap një debat thelbësor për të ardhmen e Bashkimit dhe për zgjerimin, ku Maqedonia e Veriut është pjesë e pandashme e vizionit evropian.
Integrimi evropian për ne nuk është një proces burokratik, por një zgjedhje strategjike dhe qytetare që bashkon pushtetin, opozitën, institucionet dhe qytetarët. Ai kërkon transformim të thellë të institucioneve dhe shoqërisë, dhe ne e zbatojmë këtë proces me përgjegjësi dhe rezultate konkrete: reformat që kemi bërë sjellin përfitime të prekshme për qytetarët, nga pagesa më të lehta dhe më të lira, te qarkullimi më i shpejtë i mallrave dhe integrimi gradual në Tregun e Vetëm Evropian.
Sot, dua të përcjell një mesazh të qartë: Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme – e gatshme të përmbushë obligimet, të zbatojë reformat dhe të jetë pjesë e përgjigjeve evropiane ndaj sfidave të përbashkëta. Ky është një moment pjekurie politike që nuk duhet humbur, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për një Maqedoni të integruar në Evropë”, ka shkruar zv/kryeministri i parë Bekim Sali.
Lajme Zv/kryeministri i parë Bekim Sali: Maqedonia e Veriut është pjesë e pandashme...



