Kandidati i pavarur dhe i përkrahur nga VLEN për Komunën e Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri pasi humbi zgjedhejt e përsëritura për kryetar të komunës, deklaroi se populli ka drejtë edhe nëse merr vendim të gabuar, transmeton Portalb.mk.
“E falënderoj edhe secilin aktivist dhe secilin që ka dhënë çfarëdo kontributi duke na mbështetur në këtë fushatë. Populli ka drejtë edhe nëse merr vendim të gabuar. Duke e njohur rezultatin, ia uroj kundërkandidatit fitoren dhe e respektoj këtë vendim të sovranit. Sot përfunduan zgjedhjet në Komunën e Vrapçishtit, por këtu nuk ka përfunduar dashuria ime për bashkëqytetarët e mi dhe asnjëherë nuk do të përfundojë përgjegjësia dhe angazhimi im për ju. Ky detyrim dhe përkushtim kurrë nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë”, tha Demiri.
Sipas 100% të votave të numëruara nga KSHZ-ja, Zulhajrat Demiri mori 3,135 vota përballë Isen Shabanit nga AKI i cili mori 5,414 vota.
Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor 2025 nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.
Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.




