Zotëri Naser, si munde ta keqpërdorësh varrin e Imer Imerit për interes të BDI-së?

Fazli Zendeli

Zotëri Naser, kjo është BDI-ja nëse nuk e ke ditur. Aty nuk kursehet asgjë gjatë fushatës zgjedhore. Ata duhet të ju shërbejnë me çdo kusht padronëve maqedonas, e për të shërbyer duhet të fitojnë në zgjedhje. Për të fituar në zgjedhje duhet të bëjnë fushatë. Në fushatë nuk kursejnë asgjë. As uniformën e ushtarëve, as tri shkronjat e arta të UÇK-së, as varrezat e dëshmorëve, as varrezat e ish liderëve politikë… Nuk kursehen as fëmijët e vegjës. Duhet të përkulesh edhe te varret e maqedonasve. Pse flasin fjalë të mëdha, mos mendo se vërtetë janë aq patriotë. Janë përkulur këta burra edhe te branitellat, jo veç te Boris Trajkovski.

A ke harruar se ata ishin në pushtet kur ndodhi Sopoti, kur u vra Harun Aliu, kur ndodhi rasti Monstra. Nëse ke harruar, po ta përkujtoj me një rast më të freskët. Ata ishin në pushtet edhe kur u vranë Begu e Mirsadi në Kumanovë, ata ishin në pushtet edhe kur Grupi i Kumanovës u dënua me burg të përjetshëm. Ata ishin në pushtet edhe kur u arrestua Feta Halimi, shpëtimtari o Zojadin Selës, ata ishin në pushtet edhe kur u liruan Trajko Veljanovski e Kërsto Mukovski nga përgjegjësia për 27 prillin.

Mirë je gjetur në këtë fushatë, po të shkuaka për dore. Në fillim dukeshe pak i habitur, por tani je ambientuar. Nuk po ndien përgjegjësi morale t’i kërkosh falje familjes së Imer Imerit, kryetarit të PPD-së që nënshkroi Marrëveshjen e Ohrit.
Je future plotësisht në filmin e BDI-së. Po e vërejmë qartë. Siç po e vërejmë se misioni yt është që mbledhësh sa më shumë vota për Ali Ametin, Musa Xhaferin, Artan Grubin e Bujar Osmanin. Skan fytyrë të dalin vetë t’i kërkojnë votat, po të manipulojnë ty të dalish në emrin e tyre. Njësoj sikur Isa Mustafa që nuk kishte fytyrë të dalë para votuesve në Kosovë të kërkojë vota, por pas zgjedhjeve e bëri kryeministër Avdulla Hotin. Po e vërejmë qartë se të kanë manipuluar, kurse pas zgjedhjeve do të hedhin në ndonjë qosh.