Zogiani: Drejtësia, gremimë ku bie përpjekja për sundim ligji e barazi

Shkruan: Avni Zogiani

Institucionet vetë-rregulluese janë themeli i demokracisë kur ato funksionojnë.

Mirëpo kur ato nuk funksionojnë kthehen në varrin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut e të drejtave civile!

Çfarë po ndodhë për shembull me institucionet e drejtësisë në Kosovê?!

Ato janë kthyer në një greminë ku bie çdo përpjekje për drejtësi, sundim ligji e barazi.

Kështu të “vetë-rregulluara” ato kthehen në institucione në duar të atyre që kanë më shumë, pra në një lloj ekonomie tregu. Ku blen “drejtësinë” ai që ka më shumë kapital.

Prandaj piskasin fort ata që kanë më shumë sa herë që dikush provon ta zhbëjë këtë ciklin vicioz të vetë-rregullimit të shit-blerjes së drejtësisë.

Nuk është Kosova shembulli i vetëm me këtë fatkeqësi. Kanë kaluar këso situata edhe shoqëri më të zhvilluara se ne, një nga to është Italia.

Për dekada me radhë në emër të ndarjes së pushteteve Italia u qeveris nga mafia me petkun e demokracisë që kishte veshur duke përdorur pikërisht institucionet vetë-rregulluese.

Ky vend nuk arriti kurrë të thyej prangat e drejtësisë së ekonomisë së tregut derisa dikush vendosi ta shqetësojë demokracinë formale të kontrolluar nga mafia.

Italia doli nga ky cikël vicioz kur vendosi që pasurinë ta zhveshi nga të drejtat absolute që i kishte vënë i ashtuquajturi treg i lirë, i cili kishte vendosur një ekujvalencë mes njeriut dhe parasë.

Edhe në Itali qytetarët mllefoseshin kur shifnin tek liroheshin vrasësit e kapur në kamera, ndërkohë që frustroheshin nga fjalimet e klerikëve dhe shoqërisë civile për demokracinë.

Nga fundi i shekullit 20, dhe në fillim të këtij mileniumi, u deshën ca njerëz “jo-civilë” për ta thyer rrethin vicioz ku e kishin vënë pronarët e demokracisë formale.

U kufizua e drejta mbi asetet e mafias, të fituara ilegalisht dhe/apo padrejtësisht. Vetëm atëherë Italia arriti ta drejtojë anijen kah ujëra më të qeta dhe gjeti stabilitetin dhe progresin shoqëror.

Kosova kurrë s’ka për të dalur nga ky rreth vicioz për aq kohë sa dominojnë idiotët e përdorshëm nën pretendimin se po mbrojnë “demokracinë”!

* Avni Zogiani është publicist e gazetar