Zjarri në Trubarevë, ekipet e prokurorisë nesër në terren

Disa ditë pas zjarrit në deponinë në Trubarevë, prokuroria njofton se inspektimi në vendin e ngjarjes për arsyet e zjarrit do të fillojë nesër.

“Ekipet në terren do t’i koordinojë prokuror publik nga Prokuroria Themelore e Shkupit. Me urdhër të Prokurorit Publik, ekipet e MPB-së së Shkupit edhe sot dolën në vendngjarje me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve dhe mbledhjes së dëshmive të caktuara të nevojshme për procedurën që lidhet me rrezikimin e ambientit jetësor me mbeturina. Në vazhdimësi ndërmerren më shumë veprime për sigurimin e dokumenteve dhe analizimin e tyre”, njoftojnë nga Prokuroria.

Institucionet një ditë më parë njoftuan se shikohet mundësia e zgjerimit të hetimit edhe tek të dyshuar të tjerë dhe se do të inspektohet puna e kompanisë që nga fillimi i saj. Megjithatë, për momentin, nuk ka konfirmim për persona të tjerë të përfshirë në hetim.

Për momentin, procedura ka nisur vetëm ndaj 4 personave të dyshuar për kërcënim për mjedisin dhe natyrën. Aty përfshihet një menaxher dhe pronar 56-vjeçar të 2 kompanive, një menaxher 22-vjeçar të një kompanie të tretë, një menaxher 42-vjeçar të një filiali dhe një të punësuari 59-vjeçar.

“Në Gjykatën Themelore të Shkupit është dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit të shkurtër për 48 orë të tjera për të gjithë katër personat që përfshihen në procedurë për momentin”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria si dëshmi materiale pret edhe më tej matjet e Ministrisë së Ekologjisë për sasinë e ndotjes. /Alsat.mk