Njësia zjarrfikëse e Tetovës u bëri thirrje banorëve të Tetovës që në mënyrë preventive të kontrollojnë se në çfarë gjendje janë oxhaqet dhe pajisjet për ngrohje, në drejtim të parandalimit të zjarreve.
Komandanti Uka Aliti, theksoi se oxhaqet e pastra do të thonë mbrojtje nga dukuria e zjarrit.
“Më shqetësueset nga përvoja e deritanishme janë shumëkatëshet, Në këto raste hasim në shumë probleme sepse shumë qytetarë përdorin drunj për ngrohje. Pastrimi i oxhaqeve do t’i mbrojë ndërtesat dhe familjet nga dukuria e zjarrit. Gjithashtu bëjmë thirrje të kontrollohen pajisjet për ngrohje për siguri më të madhe nga dukuria e zjarreve që mund të jenë fatale. Dëshirojmë ta kalojmë këtë dimër pa zjarre, sepse zjarret lënë pasoja të rënda për shëndetin dhe pronën e qytetarëve”, thotë Aliti.
Njëherit në prag të festave të fundvitit ai bëri thirrje për përmbajtje nga përdorimi i mjeteve piroteknike që gjithashtu mund të jenë shkak për zjarre.
Shpërthimi i zjarreve, mund të rezultojë edhe nga pakujdesia njerëzore, instalacionet e vjetra elektrike, stufat e parregullta, potencojnë zjarrfikësit.
Nga ana tjetër, shkaktimi i qëllimshëm i rrezikut të përgjithshëm apo neglizhencë, me aktivitete të cilat nënkuptojnë ndezje të zjarrit paraqet edhe vepër penale, përkujtojnë nga Sektori për punë të brendshme Tetovë.