Zjarret kaplojnë Shqipërinë, Kosovën e Italinë

Nuk kanë të ndalur flakët në jug të Shqipërisë. Së fundmi raportohet se në Tragjas është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pemë. Situata nuk është më e lehtë në Karaburun ku prej disa ditësh zjarri vazhdon të djegë këtë zonë. Përveç erës dhe temperaturave të larta edhe terreni i thyer e bën edhe më të vështirë punën e zjarrfikësve që po luftojnë me flakët. Në lëvizje janë vënë edhe organet e policisë, që kanë arrestuar një 25 vjeçar, nën dyshimin se ka shkaktuar zjarrin e që një ditë më parë përfshiu Ksamilin, duke djegur shkurre dhe ullishte.

Zjarri ka shkaktuar shkrumbuar sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh në Parkun Nacional “ Bjeshkët e Nemuna” në Kosovë. Zjarri ka nisur në fshatin Shtupeq në Rugovë. Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koçinaj ka thënë se nga orët e hershme të mëngjesit janë në gatishmëri të gjitha kapacitetet vendore në mënyrë që të eliminohet menjëherë zjarri i cili mund të riaktivizohet pas shuarjes që i ishte bërë të premten. Ai ka thënë se shuarja e zjarrit u bë e mundur falë ndihmës së ofruar nga KFOR-i i cili kishte vënë në dispozicion helikopterët për ta bërë këtë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin.

Zjarret nuk kanë kursyer as Italinë, e cila është përfshirë nga flakët në disa zona në vend.

Mbrëmjen e djeshme ka shpërthyer gjithashtu një zjarr i madh në zonën e arbëreshëve, Piana degli Albanesi, në Strasatto. La Republica bën me dije se nga zona e arbëreshëve janë evakuuar 100 banorë me ndihmën e zjarrfikësve. “Ky është një zjarr unik. Ne jemi organizuar masivisht dhe disa punëtorë u plagosën gjatë shuarjes së flakëve”, thonë punonjësit, ndërsa ka ndërhyrje të tjera ajrore në zonën përreth. Shërbimet e zjarrit dhe pyjeve shuan zjarret që kërcënojnë tre fshatra në ishullin italian të Sicilisë, Piana degli Albanesi, Strasatto Altofonte dhe San Giuseppe Jato. Siçilia Lindore po digjet gjithashtu, në Catania një zjarr i madh ka rënë në periferi të qytetit, midis Fossa della creta dhe Palermos. Flakët janë përhapur shumë dhe trafiku është bllokuar si masë paraprake.