Ziadin Sela dhe Ilire Dauti takime me mërgatën në Zvicër: Është koha për aktivizimin e diasporës

Kryetari i njërit nga fraksionet e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, së bashku me deputeten Ilire Dauti, zhvilluan një takim me diasporën shqiptare në Cyrih, ku u pritën nga qindra bashkëatdhetarë në një organizim të Shoqatës Kulturore “Lëvizja Shqiptare” në Zvicër.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe me entuziazëm, ku u diskutuan çështje me rëndësi kombëtare dhe tema që prekin drejtpërdrejt shqiptarët si në vendlindje ashtu edhe në diasporë. Pjesëmarrësit shprehën mbështetje për angazhimin politik dhe institucional të ASH-së, veçanërisht në mbrojtje të të drejtave të diasporës, përfshirë shqetësimet për reduktimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në buxhet dhe investime publike.

Mërgimtarët gjithashtu ngritën shqetësime për situatën politike në Maqedonia e Veriut, duke theksuar nevojën për organizim më të madh politik të diasporës dhe përfshirjen e saj në proceset vendimmarrëse.

Nga ana e tyre, Sela dhe Dauti vlerësuan kontributin e diasporës ndër dekada për vendlindjen, duke nënvizuar se tashmë është momenti për një angazhim më aktiv politik. Në këtë drejtim, Sela theksoi qëndrimin e ASH-së për mundësimin e votimit të diasporës përmes formave alternative, si votimi elektronik ose me postë, në zgjedhjet në vend.

Në përmbyllje të takimit, u theksua se bashkëpunimi ndërmjet subjektit politik dhe shoqatave në diasporë do të thellohet më tej, me synimin për të forcuar lidhjet dhe për të avancuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen.(INA)