Opozitarja LSDM sot doli me akuza se kryeministri Hristijan Mickoski po përgatit skenar për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe provokim artificial të tensioneve ndëretnike, të cilat sipas partisë janë të koordinuara me shërbimet serbe dhe ruse.
Në konferencën e sotme për shtyp, sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar dhe anëtar i Kryesisë së LSDM‑së, Andrej Zhernovski, theksoi se detyrë e tyre është t’i paralajmërojnë qytetarët për zhvillimin e ngjarjeve në periudhën e ardhshme.
„Ne, në konferencën e sotme për shtyp duam ta shpjegojmë skenarin që është në regji të Mickoskit, më saktë në regji të shërbimeve serbe dhe ruse, e që për fat të keq do ta shohim në periudhën e ardhshme. Për ne si LSDM është detyrë ta prezantojmë këtë skenar para qytetarëve për të paralajmëruar çfarë do të ndodhë. Nuk u kuptuam në fillim kur shpjegonim për botën serbe, për Orbanin, për Vuçiçin, më vonë u bë e qartë se ajo që thoshim ishte e vërtetë“, deklaroi Zhernovski.
Sipas tij, arsyeja kryesore për kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme është buxheti bosh dhe mungesa e rezultateve ekonomike të pushtetit aktual.
„Mickoski dëshpërimisht kërkon alibi për zgjedhje. Vini re, ai vetë thotë se nuk do zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht lutet t’i hidhet doreza ose më saktë t’i hidhet goma e shpëtimit nga opozita. Kjo është e pabesueshme, krejt e kundërt me atë që thotë vetë. Edhe një herë në fillim dua t’i përcjell mesazh se LSDM nuk do të jetë alibi për këtë skenar në të cilin ai ka vetëm rol, qoftë edhe kryesor, por nuk është regjisor. Ai nuk do të pranojë se problemi kryesor dhe arsyeja kryesore pse kërkon zgjedhje të parakohshme është buxheti bosh“, theksoi Zhernovski.
Ai shtoi se pas dështimit të skenarit fillestar me Bullgarinë, fokusi i Qeverisë do të zhvendoset tek marrëdhëniet ndëretnike me shqiptarët.
„Pasi dështoi ai skenar, tani publiku, duam ta paralajmërojmë, do të jetë dëshmitar i një skenari të ri. Tani nuk do të jenë bullgarët argumenti kryesor kundër nesh, pra alibi për zgjedhje, por do të jenë, vini re, shqiptarët. Ky skenar nuk është i nevojshëm vetëm për fushatën nacionaliste të VMRO‑së, por i nevojitet edhe Vuçiçit. Vuçiçi nis me të njëjtat akuza, me të njëjtin skenar, me të njëjtin model. Ky alibi, duhet ta themi hapur, nuk është skenar i menduar në kokën e Mickoskit. Është alibi që ia japin shërbimet ruso‑serbe“, tha Zhernovski.
Duke iu referuar retorikës së Qeverisë ndaj opozitës dhe liderit të saj Venko Filipçe, ai theksoi se përdoret strategjia e ndarjes së qytetarëve.
„Ashtu edhe kundër kryetarit të LSDM‑së, doktor Venko Filipçe, ndaj të cilit pesë vite zhvilluan fushatë morbide për spitalet modulare, e quanin vrasës, madje edhe doktor Mengele. Pa marrë parasysh se doktor Filipçe del para pacientëve të tij si mjek dhe para studentëve si profesor. Pra, pikërisht ata u përdorën me fatin tragjik të atyre që humbën jetën në spitalin modular për të fituar pikë politike duke sulmuar liderin e opozitës“, porositi Zhernovski.
Nga LSDM përcollën mesazh se nuk do të jenë pjesë e këtij skenari dhe se do të luftojnë për ta zbuluar përpjekjen për destabilizim.
„Të nderuar qytetarë, jini të sigurt se LSDM deri në fund do të luftojë për ta zbuluar këtë skenar. Dua të përfundojmë së bashku se, për fat të keq, do ta shohim përsëri skenarin e viteve ’90, se për fat të keq do të shohim provokim artificial të përplasjeve dhe kjo në atë që ende është e brishtë – tensionet ndëretnike dhe ndërkombëtare. Maqedonia nuk duhet ta lejojë këtë. LSDM nuk do të marrë pjesë në këtë skenar“, përfundoi ai. përcjell Zhurnal.mk .





