Zhdukja e mostrave të Deharit, Tomë Gashi: I di tre emrat, por s’po i them

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, në Frontal të T7 ka folur për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, gjë për të cilën ka folur sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ai thotë se Haxhiu e ka njoftuar mbrëmë dhe sipas Tomë Gashit “dikush dëshiron t’i fsheh provat për vrasjen e Astrit Deharit”.

“Më ka njoftuar ministrja para konferencës. Mbrëmë ministrja ka marrë informatë se janë zhdukur mostrat në IML, në laboratorin e toksikologjisë. Janë 12 mostra të gjakut që janë zhdukur përfundimisht. Një cështje po dihet, dikush po do me e mshef rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Po mundohen me e mshef me mish e me shpirt”, ka thënë Gashi.

“S’është manipulimi i parë. E kemi edhe ekspertizën shtesë, ku thanë që mostrat e dërguara nga Prokuroria janë manipuluar. Nëse dikush i zhduk provat është provë e rëndë”, ka shtuar ai.

Tomë Gashi tutje ka pretenduar se mostrat kanë mundur të zhduken shumë më herët, por që tek mbrëmë është marrë vesh kur është brë zhvendosja e mostrave.

“Këto janë zhdukur shumë ma herët, por dje është marrë informata që ato s’janë më aty. Këto qenkan në mënyrë rutinore që bëhet ndryshimi. Përfundimisht ministrja haxhiu e ka marrë vesh dhe ka njoftuar Prokurorinë dhe Policinë”, ka thënë Gashi.

Tomë Gashi ka thënë se i di tre emrat e personave, por që s’dëshiron të flasë për të mos i dëmtuar hetimet.

“Unë i di emrat e këtyre tre personave. Por s’mund t’i them. Për mos me i dëmtu hetimet. S’e kam të ndalume, por s’du me i thanë derisa dosjen e ka Prokuroria. Është duke u hetuar rasti, prej që është marrë vesh rasti”, ka thënë Gashi.

Sipas tij më së largu deri nesër do të mund të dalin publikisht emrat e personave që mund të jenë të ndërlidhur me rastin./Express