Zgjedhjet në Serbi, Policia e Kosovës angazhon personel shtesë në pikat kufitare

Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë në pikat e kalimit kufitar, në mënyrë që të përballohen më shumë kalime se ditëve të tjera.

Kjo për shkak se qytetarët e Republikës së Kosovës, kanë udhëtuar dhe do të udhëtojnë gjatë ditës për të votuar në zgjedhjet e Serbisë që po mbahen sot, raporton Klankosova.tv.

“Të gjitha angazhimet policore në terren, përfshirë ato kufitare do të zbatohen sipas procedurave të parapara ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mundësimit të qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, shkruan në kumtesën e policisë.

“Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, ku për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”.