Zgjedhjet në Serbi, certifikohet lista e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar se është certifikuar lista e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, për zgjedhjet e prillit në Serbi.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka njoftuar se  kjo listë do të ketë numrin 16 dhe në të marrin pjesë tri parti.

“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” do të  jetë  Lista me numër 16. Me të njëjtin numër që morëm pjesë edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2020. Me 3 parti nënshkruese PVD, PD dhe LPD”, shkruan Kamberi.

Në këtë listë janë dhjetë kandidat për deputetë.

“Me 10 kandidatë për deputet nga të tri komunat e Luginës së Preshevës. Me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin në të. Me numër 16 u certifikua gjithëpërfshirja e Luginës së Preshevës për vazhdimin e betejës së dinjitetshme politike, përfaqësimin dinjitoz e të pakompromis si përpjekje për të përfaqësuar sa më mirë shqiptarët dhe interesat  kolektive”, thuhet në njoftimin e Kamberit. /Telegrafi/