Zgjedhjet në Gostivar dhe alarmi demografik: Gjysma e shqiptarëve jashtë vendit

Shkruan: Florian NESIMI

Në zgjedhjet e 19 tetorit në Gostivar nuk u arrit pragu i daljes prej 33.33 përqind, me ç’rast zgjedhjet lokale do të përsëriten më 11 janar. Dështimi i arritjes së censusit është pasojë e një problemi shumë të thellë që ka kapluar vendin tonë: emigracioni masiv që ka ndodhur dhe po ndodh te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, e veçanërisht në komunën e Gostivarit.

Largimi i qytetarëve, kryesisht i të rinjve dhe i moshës aktive, ka tkurrur trupin votues dhe ka krijuar një hendek të madh mes realitetit demografik dhe listave zgjedhore. Të dhënat zyrtare të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021 për komunën e Gostivarit janë alarmante.

Nga 64 mijë shqiptarë të regjistruar gjithsej në Gostivar, vetëm 33 mijë janë rezidentë, ndërsa 31 mijë të tjerë janë evidentuar si jorezidentë. Praktikisht, gjysma e shqiptarëve të Gostivarit jeton jashtë vendit. Ky fakt është një alarm i kuq për ekzistencën tonë si shoqëri dhe katastrofë demografike që po i zbraz qytetet tona.

Dhe për pasojë, kjo e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e pragut ligjor të pjesëmarrjes në zgjedhje lokale. Edhe më alarmante janë të dhënat për lindjet dhe vdekjet, të cilat tregojnë se Gostivari nuk po zbrazet vetëm për shkak të emigracionit, por edhe për shkak të rënies së popullsisë.

Sipas të dhënave statistikore, gjatë vitit 2024 në Komunën e Gostivarit kanë lindur 484 persona, ndërsa kanë ndërruar jetë 583 persona, që do të thotë se rritja e popullsisë është negative për – 99 persona. Këto statistika tregojnë qartë se numri i vdekjeve ka tejkaluar numrin e lindjeve, duke dëshmuar për një trend të vazhdueshëm të tkurrjes demografike. Megjithatë, në zgjedhjet që do të përsëriten në Gostivar më 11 janar, ligjërisht nuk kërkohet pragu i daljes prej 33 përqind.
Por kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për mosdalje në votime. Përkundrazi, shqiptarët e Gostivarit duhet të bëjnë çdo përpjekje për të arritur një pjesëmarrje sa më të lartë, me qëllim që të dërgojnë një mesazh të qartë politik dhe shoqëror. Një dalje masive do të dëshmonte se censusi i pjesëmarrjes arrihet pa problem dhe se mosarritja e tij në zgjedhjet e 19 tetorit ishte thjesht një moment i rastësishëm, i cili nuk do të përsëritet në të ardhmen.

Rasti i Gostivarit nuk duhet parë si një përjashtim i çastit, por si një paralajmërim serioz për komunat tjera me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Trendet e emigracionit masiv, plakjes së popullsisë dhe tkurrjes së trupit votues janë të pranishme edhe në komuna të tjera shqiptare, veçanërisht në ato periferike dhe rurale.

Nëse këto të dhëna demografike vazhdojnë të injorohen, ekziston rreziku real që mosarritja e censusit të përsëritet edhe në komuna të tjera me shumicë shqiptare. Prandaj, zgjedhjet e 11 janarit në Gostivar nuk janë vetëm çështje lokale, por një test i rëndësishëm për vetëdijen politike dhe mobilizimin qytetar të shqiptarëve në përgjithësi. Dështimi ose suksesi në këtë rast do të dërgojë një mesazh të qartë për të ardhmen e proceseve demokratike në komunat shqiptare.