Zgjedhjet lokale, 1.8 milion votues në listën zgjedhore

1 832 415 votues janë gjithsej të regjistruar në listën zgjedhore, prej të cilëve 1 milion e 717 mijë janë brenda vendit, ndërsa 112 mijë të tjerët janë të regjistruar në listën e posaçme të votuesve që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit. Mbi 2 mijë votues vuajnë dënime me burgim ose paraburgim dhe 450 votues janë në shtëpi pleqsh.

Ngatërresat dhe pengesat në miratimin e ndryshimeve të Kodit zgjedhor i cili ngeci në procedurë parlamentare, sollën për herë të parë numër të lartë të kandidatëve nga listat e pavarura. Për këtë kategori kandidatësh që më herët ishin kërkuar 1000 nënshkrime, në këtë proces zgjedhor, KSHZ-ja, në mungesë të zgjidhjes ligjore, miratoi Rregulloren me të cilën u kërkuan vetëm dy nënshkrime. Si rezultat, kandidaturat e pavarura do të zënë hapësirën më të madhe në fletëvotimet e shumë komunave.

Votimi do të mbahet në 3,480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë, ose gjithsej 10,490 kandidatë. Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, pra kandidatura të pavarura. Qyteti i Shkupit ka më shumë kandidatë për kryetar, gjithsej 16.

Pjesa dërrmuese e kandidatëve për kryetarë janë burra, kurse problemi është më i thellë te partitë shqiptare, të cilat nuk kanë asnjë kandidate grua për kryetare komune.
Fushata zyrtarisht filloi më 29 shtator por jozyrtarisht kishte nisur muaj më parë dhe ka qenë mjaftë aktive në gjatë gjithë verës.

Për transmetimin e programit të paguar politik, të drejtën sipas regjistrimit të KSHZ-së e fituan 33 televizione, 42 radio dhe 8 media të shkruara. Lista e mediave online ose portaleve mbetet dhjetëra herë më e gjatë, edhe atë 246 portale, fituan të drejtën e reklamimit politik, që do të thotë se ata edhe në këto zgjedhje.

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e vendit në të cilat zgjidhen kryetarë bashkish dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në zgjedhjet lokale nuk ka votim jashtë vendit, por shtetasit që jetojnë dhe punojnë jashtë dhe që kanë të drejtë vote, mund ta ushtrojnë atë në komunën ku kanë adresë banimi brenda vendit. /Alsat.mk