Zgjedhjet dhe gishti i mesëm i plakut në katund

Arbër Çeliku

Po gjerbja kafen e mëngjesit në njërin nga lokalet në katund, kur erdhi një bashkëvendas i thyer në moshë, rreth 84 vjeç. Moti kohë nuk e kisha parë, nuk ishte më ai burrë i fuqishëm, siç e njihja unë, ishte zbehur i tëri dhe fliste me zor. Çapin nga larg e kishte shumë të ngadalësuar dhe dridhej kur ecte. Madje, nuk ishte as pedant siç isha mësuar ta shoh, vetëm plisin e bardhë të Bajram Currit ende e mbante në kokë. Bëri porosinë, 3 hamburgerë dhe 4 makiato për me vete, 2 me sheqer dhe 2 pa sheqer, pastaj e kuptova nga pronari i lokalit, se një grua nga Shqipëria kujdesej për të dhe gruan e tij, me gjasë me gjithë fëmijët e saj, ngaqë të dy djemtë më familje ai i ka në Zvicër.
Fillimisht nuk më njohu, pastaj i ofrova kafe, dhe sapo iu kujtova, më përqafoi dhe u ul. Kishte nostalgji për kohën, shkëmbyem ca muhabete të zakonshme. Në fund fare, para se të ngrihej, tha: “Dua të më thuash diçka. Cilin ta votojmë kësaj radhe? Se ti i di mirë këto punë. Një kohë, të morëm inat të gjithë, kujtonim se shpif për këta, por këta dolën më shka se shkau”.
Vura buzën në gaz, nuk desha ta lodh me politikë këtë njeri që e kishte lodhur jeta, por as veten, ngaqë s’desha ta prish qetësinë, mezi të arritur pas një dekade gjithë stres.
A ia vlente barra qiranë t’i thosha këtij njeriu të thyer në moshë, se shqiptarët e Maqedonisë u mashtruan nga profetët e rrejshëm?! A ia vlente ta mërzisja këtë njeri të gjorë për gjëra kaq banale, kur nuk dihet nëse ai, në atë gjendje që ishte, do ta mbërrinte të nesërmen?!
I thashë: “Ditën e votimit do të të presë të shkolla komandanti i katundit (Cërvicasit e dinë për kë e kam fjalën, një person që as shkollën fillore nuk e ka të kryer, pesë parë njeri, por që për 2 dekada vendos për fatin e katundit) dhe të tregon ai.
U dynd plaku, filloi të shante çfarë i vinte nëpër gojë. Ka për ta parë ai kësaj radhe dhe tregoi gishtin e mesëm.
S’di a e kishte për komandantin, a për mua, por s’ka fare rëndësi. Zgjedhjet po afrojë dhe koha do ta dëshmojë se për kë e kishte…